Vendosni fjalën kyçe....

Projektligji gjithëpërfshirës i Trump-it për ulje taksash kalon pengesën e parë në Senatin amerikan


Senati i Shteteve të Bashkuara, i kontrolluar nga republikanët, miratoi me diferencë të ngushtë projektligjin gjithëpërfshirës të presidentit Donald Trump për ulje taksash dhe rritje shpenzimesh të shtunën, në një seancë maratonë të fundjavës të mbushur me tensione politike, përçarje dhe vonesa të gjata, teksa demokratët u përpoqën të ngadalësonin kalimin e tij.

Senatorët votuan me rezultat 51 me 49 për të hapur debatin për këtë projektligj prej 940 faqesh, me dy senatorë republikanë që iu bashkuan demokratëve për të kundërshtuar masën që do të financonte prioritetet kryesore të Trumpit për emigracionin, kufirin, uljen e taksave dhe mbrojtjen ushtarake.

Trump e përshëndeti votimin si një “fitore të madhe” për “projektligjin e tij të madh, të bukur” në rrjetet sociale.

Pas orësh të tëra vonesash, gjatë të cilave drejtues republikanë dhe nënpresidenti JD Vance punuan me dyer të mbyllura për të bindur senatorët hezitues që të mbështesnin projektligjin, demokratët kërkuan që ai të lexohej me zë të lartë në sallën e Senatit, një proces që mund ta shtyjë debatin deri të dielën pasdite.

Demokratët thanë se shkurtimet e taksave do të përfitonin në mënyrë disproporcionale të pasurit në dëm të programeve sociale për amerikanët me të ardhura të ulëta.

“Republikanët në Senat po përpiqen të kalojnë një projektligj radikal, të bërë publik në mesnatë, duke shpresuar që amerikanët të mos kuptojnë çfarë përmban ai,” tha udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer.

 “Demokratët do ta detyrojnë këtë dhomë ta lexojë nga fillimi deri në fund.”

Pas leximit, do të pasojnë deri në 20 orë debat, e më pas një seancë maratonë votimesh për amendamente, e njohur si “vote-a-rama”, para votimit përfundimtar për miratimin e projektligjit. Ligjvënësit shpresojnë ta përfundojnë procesin deri të hënën.

 

Kundërshtime në radhët e republikanëve

Senatorët republikanë Thom Tillis dhe Rand Paul votuan kundër hapjes së debatit – duke e vënë përkohësisht në rrezik votimin.

Trump sulmoi publikisht Tillis-in, i cili kundërshtoi shkurtimet e parashikuara për Medicaid-in, programi i kujdesit shëndetësor për amerikanët me të ardhura të ulëta.

“Shumë njerëz janë paraqitur për të kandiduar kundër ‘senatorit Thom’ Tillis. Do të takohem me ta javët e ardhshme,” shkroi Trump në rrjetet sociale.

Rand Paul kundërshtoi projektligjin sepse ai do të rriste kufirin e borxhit federal me 5 trilionë dollarë shtesë.

 “A votoi përsëri ‘JO’ Rand Paul sonte? Çfarë ka ky njeri?” komentoi Trump.

Votimi qëndroi pezull për orë të tëra ndërsa nënpresidenti Vance dhe udhëheqësi i shumicës republikane John Thune kërkonin të bindnin senatorët që hezitonin. Nuk dihet nëse janë bërë marrëveshje për të siguruar votën e tyre.

Senatorët e linjës së ashpër Rick Scott, Mike Lee dhe Cynthia Lummis, që kërkonin shkurtime më të mëdha në shpenzimet federale, votuan në favor të projektligjit. Senator Ron Johnson fillimisht votoi kundër, por më pas ndryshoi qëndrim dhe e mbështeti.

Trump e ndoqi votimin nga Shtëpia e Bardhë deri vonë natën, sipas një zyrtari të lartë.

 

Çfarë përmban projektligji?

Projektligji zgjat uljet e taksave të vitit 2017, arritja kryesore legjislative e Trumpit gjatë mandatit të tij të parë – ul taksa të tjera dhe rrit shpenzimet për ushtrinë dhe sigurinë kufitare.

Komiteti i përbashkët i taksave, një trupë jopartiake, parashikoi se dispozitat fiskale të projektligjit do të reduktojnë të ardhurat e qeverisë me 4.5 trilionë dollarë në dekadën e ardhshme, duke shtuar mbi borxhin prej 36.2 trilionë dollarësh që ka aktualisht SHBA-ja.

Nga ana e saj, Shtëpia e Bardhë deklaroi më herët se projektligji do të ulë deficitin vjetor me 1.4 trilionë dollarë.

Personi më i pasur në botë, Elon Musk, e kritikoi ashpër projektligjin – veçanërisht për faktin se ai do të eliminonte përfitimet fiskale për automjetet elektrike që prodhon Tesla.

“Ky projektligj është krejtësisht i çmendur dhe shkatërrues,” shkroi ai në rrjetin e tij X. “Do të shkatërrojë miliona vende pune në Amerikë dhe do të sjellë dëme strategjike të mëdha për vendin tonë.”

 

Ndryshimet në Medicaid dhe taksat lokale

Disa senatorë republikanë nga shtete rurale kishin shprehur kundërshtime për shkurtimet në financimin për spitalet rurale.

 Projektligji i fundit parashikon shtyrjen e këtyre shkurtimeve dhe alokon 25 miliardë dollarë për të mbështetur ofruesit ruralë të Medicaid-it për periudhën 2028–2032.

Ai gjithashtu rrit kufirin e zbritjes nga taksat federale për taksat shtetërore dhe lokale në 40,000 dollarë, me një rritje vjetore prej 1% deri më 2029, përpara se të rikthehet në kufirin aktual prej 10,000 dollarësh. Për ata që fitojnë më shumë se 500,000 dollarë në vit, ky kufi do të ulet gradualisht.

Kjo është një çështje kyçe për republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve nga shtetet bregdetare si Nju Jorku, Nju Xhersi dhe Kalifornia, të cilët luajnë një rol vendimtar në mbajtjen e shumicës së ngushtë republikane në atë dhomë.

Projektligji gjithashtu do të rrisë kufirin e borxhit të Thesarit për të shmangur një mospagim të mundshëm të borxhit kombëtar në muajt e ardhshëm.

Nëse Senati e miraton projektligjin, ai do të rikthehet në Dhomën e Përfaqësuesve për miratimin përfundimtar, përpara se Trump ta nënshkruajë në ligj. Dhoma e kishte miratuar versionin e saj të projektligjit muajin e kaluar.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters