
Shtëpia e Bardhë mendon se do ketë “njoftime të rëndësishme për vende të reja që do hyjnë në Marrëveshjet e Abrahamit”, tha të mërkurën i dërguari i administratës Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.
Marrëveshjet e Abrahamit ishin një zhvillim i rëndësisëm në Lindjen e Mesme gjatë mandatit të parë të presidentit të SHBA-së Donald Trump në vitin 2020, kur Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Maroku dhe Sudani ranë dakord të normalizonin marrëdhëniet me Izraelin, shkruan JP.
Witkoff la të kuptohej se këto njoftime për vende të tjera që do normalizohen me Izraelin do vijnë së shpejti, ndërsa nuk i përmendi vendet që pritet t’i bashkohen marrëveshjes.
Witkoff i tha gjithashtu CNBC-së se pasurimi bërthamor dhe ndërtimi i një arme bërthamore nga Irani janë vija të kuqe për SHBA-në, duke shtuar se shpresonte për një marrëveshje gjithëpërfshirëse paqeje me Teheranin.
“Nuk mund të kemi armë bërtrhamore në Iran.” tha ai.
“Kjo do destabilizonte gjithë rajonin. Të gjithë do kenë nevojë për bombë bërthamore. Kjo thjesht s’mund të ndodhë.”