
Situata e tensionuar në Lindjen e Mesme ka shkaktuar një reagim të menjëhershëm në sektorin e aviacionit, ku disa shtete të Gjirit kanë pezulluar fluturimet dhe mbyllur hapësirat ajrore, për shkak të frikës nga sulme të mëtejshme nga Irani ndaj objektivave amerikane në rajon, përcjell The Guardian.
Egypt Air njoftoi përmes një postimi në Facebook se ka pezulluar të gjitha fluturimet drejt qyteteve të Gjirit deri në stabilizimin e situatës. Në të njëjtën kohë, Kuwait Airways bëri të ditur në platformën X se ka pezulluar nisjet e të gjitha fluturimeve nga vendi për shkak të zhvillimeve të fundit.
Kuwaiti, Bahreini dhe Katari kanë vendosur gjithashtu të mbyllin përkohësisht hapësirën e tyre ajrore, pas raportimeve se Irani ka goditur bazën ajrore amerikane Al Udeid në Doha, si pjesë e një hakmarrjeje ndaj sulmeve të fundit amerikane mbi objektet bërthamore iraniane.