
Fati i programit bërthamor të Iranit dhe përpjekjet e SHBA-së dhe Izraelit për ta shkatërruar atë mund të varen nga më shumë se 400 kg uranium i pasuruar në nivele pak më të ulëta se ato të nivelit të armëve.
Pasi bombarduesit amerikanë hodhën bomba për depërtimin e bunkerëve prej rreth 13 tonelatash në vendet kryesore bërthamore të Iranit, Donald Trump pretendoi se “objektet kryesore të pasurimit bërthamor janë zhdukur plotësisht”.
Nuk ka dyshim se vendet që Teherani ka përdorur për të prodhuar uranium shumë të pasuruar – Natanz dhe Fordow – kanë pësuar dëme të rënda. Një vend i tretë në Isfahan, i përdorur në ciklin e karburantit, por edhe për ruajtje, u godit nga raketat Tomahawk të lëshuara nga një nëndetëse amerikane.
Por, ndërsa administrata Trump kryen vlerësimin e dëmeve, pyetja kritike do jetë nëse programi i Iranit është shkatërruar, apo thjesht është dërguar në objekte më të vogla dhe sekrete, të cilat janë më të vështira për t’u gjetur.
Përgjigja varet shumë nga ajo që ka ndodhur me rezervat prej 408 kg uraniumi të pasuruar në 60% pastërti, afër pastërtisë 90% të kërkuar për armë.
“Gjithçka varet te materiali dhe vendi ku ndodhet ai”, tha Richard Nephew, një ish-zyrtar i lartë amerikan që punoi me Iranin në administratat e ish-presidentëve Obama e Biden.
“Në bazë të asaj që kemi parë deri më tani, nuk e dimë se ku ndodhet materiali. Nuk kemi ndonjë besim të vërtetë se kemi aftësinë të mbërrijmë atje së shpejti.”
“Do ishte budallallëk nëse do thoshim se programi u vonua disa muaj më shumë.”
Marco Rubio, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, tha se “askush nuk do ta dijë me siguri për ditë të tëra” nëse Irani u përpoq apo ishte në gjendje të zhvendoste uranium të pasuruar.
“Nuk besoj se e kanë zhvendosur, sepse në të vërtetë nuk mund të zhvendosësh asgjë tani”, tha ai për CBS.
“Në çastin që një kamion fillon të lëvizë diku, izraelitët e kanë parë atë, e kanë shënjestruar dhe e kanë eliminuar.”
Por një person i brendshëm i regjimit iranian tha se do kishte qenë “shumë naive të mbanim uraniumin tonë të pasuruar në ato vende”, duke shtuar: “Uraniumi i pasuruar është i paprekur tani për tani.”
Ai shtoi se Irani – i cili gjithmonë ka këmbëngulur se programi i tij është për qëllime paqësore dhe civile – nuk do kërkonte ta shndërronte programin e tij në armë. Ndërsa armiqësitë me Izraelin janë intensifikuar, zyrtarë të tjerë iranianë kanë lënë të kuptohet se Teherani mund të kërkojë të ndryshojë doktrinën e tij bërthamore.
Analistët kanë paralajmëruar se Teherani mund të nxitojë të zhvillojë një bombë duke përdorur objekte klandestine nëse bie në dëshpërim dhe ndien nevojën për të rivendosur aftësinë e tij parandaluese.
Ali Shamkhani, këshilltar i lartë i udhëheqësit suprem të Iranit, tha se aftësitë bërthamore të vendit mbeten të patundura.
“Edhe nëse objektet bërthamore shkatërrohen, loja nuk ka mbaruar”, shkroi ai në X.
“Materialet e pasuruara, njohuritë vendase, vullneti politik mbeten”, tha Shamkhani, i cili u raportua se ishte plagosur në raundin e parë të sulmeve të Izraelit më shumë se një javë më parë.
Uraniumi shumë i pasuruar ishte mbajtur në Natanz, në Iranin qendror; Fordow, objekti kryesor i pasurimit i gërmuar thellë në një mal pranë qytetit të shenjtë të Qom; dhe në tunele në Isfahan, tha Nephew.
Pasi ftohet, ruhet në formë pluhuri në cilindra të mëdhenj, ngjashëm me një ngrohës uji.
Stoku i uraniumit i pasuruar në 60 përqind – pjesë e një stoku të përgjithshëm prej më shumë se 8,400 kg, pjesa më e madhe e të cilit është me pastërti të ulët – do thoshte se Teherani kishte kapacitetin për të prodhuar material të mjaftueshëm të zbërthyeshëm të nevojshëm për disa bomba bërthamore brenda disa ditësh nëse do zgjidhte.
Por procesi aktual i armatimit pritet të zgjasë me muaj ose një vit, thanë ekspertët.
Rreziku ishte gjithmonë se, pasi Izraeli të niste fushatën e tij të bombardimeve me pretekstin e shkatërrimit të programit bërthamor të Teheranit, Irani do ta çonte fshehurazi rezervën në vende të fshehura, ku centrifuga të përparuara ishin vendosur fshehurazi.
“Nëse ata kanë ngritur një linjë shndërrimi të uraniumit…dhe nëse ata ishin në gjendje të pasuronin deri në 90 përqind në Fordow para se të sulmohej, dhe kishin tetë ose nëntë ditë, kjo është potencialisht e mjaftueshme për dy bomba me vlerë 90 përqind”, tha ai.
India, Pakistani dhe Koreja e Veriut zhvilluan me sukses programe të fshehta të armëve bërthamore pavarësisht mbikëqyrjes së rëndë dhe kufizimeve nga SHBA-të.

Sima Shine, një ish-specialiste për Iranin në Mossad, agjencinë izraelite të inteligjencës, tha se ishte e bindur se Irani kishte zhvendosur materiale të pasuruara.
“Ata kanë mjaftueshëm uranium të pasuruar diku dhe kanë marrë disa centrifuga të përparuara diku, në mënyrë që një ditë të mund të përdorin një pajisje bërthamore”, tha Shine.
“Programi nuk është shkatërruar plotësisht, pavarësisht se çfarë thonë amerikanët.”
Një zyrtar izraelit tha se nëse Teherani dhe Uashingtoni rifillojnë bisedimet për t’i lejuar Iranit të ketë një program paqësor të energjisë bërthamore, Netanyahu mund të këmbëngulë që Teherani të dorëzojë çdo uranium të pasuruar shumë për t’u transportuar dhe ruajtur jashtë vendit.
Një zyrtar i dytë pranoi se Irani mund të kishte larguar të paktën një pjesë të rezervave të tij shumë të pasuruara. Por zyrtarët shtuan se pasi Izraeli javën e kaluar vrau të paktën 11 shkencëtarë bërthamorë iranianë, regjimi do kishte vështirësi të krijonte një “armë bërthamore efikase në miniaturë “.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ka inspektorë në republikë që vizitojnë shpesh Fordow, Natanz dhe objekte të tjera të deklaruara. Por fushata e bombardimeve të Izraelit i ndaloi këto inspektime.
Edhe para sulmeve, organi mbikëqyrës bërthamor i OKB-së nuk kishte mbikëqyrje mbi të gjitha mijëra centrifugat e përparuara që Irani zhvilloi pasi Trump në mandatin e tij të parë u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 që kufizoi rëndë veprimtarinë e Teheranit.
Bashkëpunimi i Iranit me IAEA-n ishte përkeqësuar gjithashtu rëndë vitet e fundit, duke penguar aftësinë e agjencisë për të kryer inspektime në nivelin e rënë dakord në marrëveshjen e vitit 2015.
Pasi Irani u kritikua në një rezolutë të IAEA-së, disa ditë para se Izraeli të niste sulmin e tij, Irani zbuloi gjithashtu se kishte ndërtuar një impiant pasurimi të padeklaruar më parë – i treti i vendit.
Izraeli shënjestroi impiantin e Natanzit në ditën e parë të sulmeve të tij dhe e ka goditur atë përsëri, duke shkaktuar dëme në impiantet e tij mbitokësore dhe nëntokësore, tha IAEA javën e kaluar. Izraeli goditi gjithashtu dy herë impiantin e Isfahanit.
Por atij i mungonte kapaciteti ushtarak për të shkaktuar dëme të konsiderueshme në Fordow dhe priti ndërhyrjen e SHBA-së.
“Është sigurisht fundi i programit bërthamor iranian siç e njihnim ne”, tha Ali Vaez, një ekspert i Iranit në Grupin e Krizave.
“Nëse programi mbijeton, ai ose do bëhet një program klandestin i armëve ose, në rast të një marrëveshjeje, një program civil i neutralizuar pa qasje në teknologjinë e ciklit të karburantit bërthamor.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT
Përgatit për Hashtag.al, Klodian Manjani