Komandanti i lartë i Forcave të Armatosura të Iranit ka lëshuar një paralajmërim të fortë se Shtetet e Bashkuara i kanë hapur derën hakmarrjes, duke thënë “ne kurrë nuk do të tërhiqemi”, në një deklaratë të raportuar nga media shtetërore.
Gjeneralmajori Abdolrahim Mousavi, Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, tha se “Amerika kriminale” u kishte “hapur dyert luftëtarëve të Islamit në forcat e armatosura për çdo veprim kundër interesave dhe ushtrisë së saj, dhe ne kurrë nuk do të tërhiqemi në këtë drejtim”.
Mousavi tha se SHBA-të kishin “hyrë drejtpërdrejt në luftë duke shkelur sovranitetin e Iranit Islamik dhe duke shkelur tokën e shenjtë të vendit tonë”.
Mesazhi i tij është i fundit në një sërë deklaratash të forta nga komandantët e lartë ushtarakë të hënën. Megjithatë, që nga sulmi amerikan ndaj Iranit, figura më e fuqishme, Ajatollah Khamenei, ende nuk ka pasur një koment, shkruan CNN.
Një zëdhënës i komandës qendrore të forcave të armatosura, Ibrahim Zolfaqari, paralajmëroi se do të përgjigjej me “operacione të fuqishme dhe të synuara që do të shkaktojnë pasoja të rënda, të pendueshme dhe të paparashikueshme”, në një video të shpërndarë nga mediat shtetërore.
Zolfaqari i dënoi sulmet amerikane dhe paralajmëroi për një përgjigje të mundshme të Iranit.
“Jo vetëm që (sulmi) ishte i kotë, por ai gjithashtu do të zgjerojë fushën e objektivave legjitime dhe të larmishme për (ushtrinë e Iranit) dhe do të hedhë themelet për zgjerimin e luftës në të gjithë rajonin”, tha ai në videon, të ndarë nga agjencitë shtetërore të lajmeve Fars dhe Mehr të hënën.