Vendosni fjalën kyçe....

Strasburg/ Dështojnë përpjekjet për deklaratë të përbashkët mes mazhorancës dhe opozitës në Komisionin e Stabilizim-Asociimit


Ka përfunduar mbledhja e Komisionit të Stabilizim-Asociimit mes Parlamentit Europian dhe Kuvendit të Shqipërisë, e zhvilluar në Strasburg, por pa arritur një deklaratë të përbashkët midis përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës.

Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetare e Komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku, deklaroi se opozita ngriti në këtë takim shqetësime të rëndësishme që lidhen me funksionimin e demokracisë në vend, duke përfshirë procesin zgjedhor, mungesën e sundimit të ligjit, përhapjen e korrupsionit dhe abuzimet me tenderat publikë.

“Nuk jemi në Strasburg për të firmosur deklarata sa për sy e faqe, por për të kërkuar ndryshime reale që prekin jetën e qytetarëve,” u shpreh Tabaku pas përfundimit të mbledhjes.

Ajo theksoi se për qytetarët shqiptarë, procesi i integrimit europian duhet të përkthehet në përmirësim konkret të përditshmërisë dhe jo të mbetet një slogan politik në tryezat e qeverisë.

“S’ka integrim të vërtetë pa zgjedhje të lira, pa demokraci funksionale dhe pa reforma të thella që luftojnë korrupsionin,” u shpreh Tabaku, duke shtuar se rruga drejt Bashkimit Evropian nuk është një proces formal, por një përpjekje serioze për standarde dhe ndryshim të prekshëm për çdo qytetar.

Për opozitën, bashkëpunimi me BE-në duhet të bazohet në angazhime të sinqerta dhe reforma të thella, e jo në fasada politike dhe retorikë boshe.

Mungesa e konsensusit midis palëve bëri që mbledhja të përmbyllet pa një qëndrim të përbashkët zyrtar.