
Kreu i PD-së Berisha u rikthye pas disa ditësh mungesë me akuzat ndaj kryeministrit Rama për manipulimin e votave të 11 majit.
Në një denoncim nga selia blu Berisha denoncoi kreun e SPAK-ut Altin Dumani të cilin e quajti Altin Troplini, se kishte mbajtur në xhep urdhërarrestin për klanin Troplini në Durrës për të mundësuar përfshirjen e tyre në manipulimin e zgjedhjeve.
“Denoncoj përsëri Altin Troplinin dhe Edi Ramën në për mbajtjen në xhep të urdhërarrestit për klanin Troplini. Kisha një gjendje virale, e cila kaloi pa asnjë ndërlikim të mëtejshëm shëndetësor. Unë nuk jam si ai tjetri që shkarkon komandantin e Gardës pse infermierja tregoi se shkoi në spital, u shkarkua të nesërmen e disa procedurave spitalore. Kjo është transparenca, unë ju njoftoj menjëherë kur kam një problem dhe mungoj.” – tha Berisha.
Ai denoncoi gjithashtu kandidatin e PS-së në Durrës Arkend Balla, për të cilin tha se ka qenë i punësuar në kompaninë private në Vlorë të vëllezërve Danaj, të akuzuar si pjesë e klanit Troplini, të goditur një muaj më parë nga Antimafia Italiane.
Berisha theksoi se vota ka vdekur pa hyrë në kuti pasi 11 maji ka qenë i manipuluar por shtoi se mbështet transparencën.
“Për PD vota ka vdekur pa hyrë në kuti. Të gjitha janë të parapërgatitura. Nuk mund të mos e mbështesim transparencën. Po dalin tani në kuti mungesa e fletëve të votimit dhe manipulimet, u faktua treni bullgar”, tha ai mes të tjerash.