
Ministria e Jashtme e Indisë njoftoi se studentët indianë në Teheran janë zhvendosur nga kryeqyteti për arsye sigurie dhe se disa prej tyre pritet të largohen nga Irani nëpërmjet Armenisë.
Qeveria indiane po punon për të lehtësuar evakuimin e qytetarëve të saj, ndërsa tensionet midis Iranit dhe Izraelit vijojnë të përshkallëzohen. Autoritetet kanë vënë në dispozicion disa kanale kontakti për qytetarët që ndodhen në vendin e prekur, në mënyrë që të lidhen me zyrtarët përkatës.
“Studentët indianë në Teheran janë zhvendosur nga qyteti nëpërmjet përpjekjeve të koordinuara nga ambasada, për arsye sigurie,” deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme indiane, Randhir Jaiswal.
Ai shtoi se edhe qytetarëve të tjerë indianë që janë të aftë të udhëtojnë vetë u është rekomanduar të largohen nga kryeqyteti, për shkak të situatës së tensionuar.
“Sipas mundësive, disa indianë janë ndihmuar të largohen nga Irani përmes kufirit me Armeninë,” tha Jaiswal, duke shtuar se ambasada e Indisë në Teheran mbetet në kontakt të vazhdueshëm me komunitetin indian, me qëllim ofrimin e çdo ndihme të mundshme.
Irani është një nga destinacionet më të preferuara për studentët indianë, sidomos për ata që ndjekin studimet në fushën e mjekësisë./CNN