
Raporti vjetor i Komisionit Evropian për shtetin e së drejtës në Shqipëri vë në dukje se, megjithëse reforma në drejtësi ka sjellë përmirësime, sfidat post-vetting mbeten të rëndësishme.
Sipas raportit, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) përballen me probleme në emërimet, ngritjet në detyrë dhe transparencën e procesit. “Sfidat për të kryer në kohë dhe me cilësi vlerësimet, emërimet dhe transferimet e magjistratëve mbeten të pranishme”, thuhet në dokument.
Një tjetër shqetësim i ngritur është mungesa e burimeve financiare dhe njerëzore, veçanërisht në Shkollën e Magjistraturës, ku kuotat e ulëta për vitin akademik të ri konsiderohen “thelbësisht të pamjaftueshme për të siguruar mbushjen graduale të vakancave”.
Raporti gjithashtu vë në dukje presionin politik ndaj sistemit gjyqësor, duke përmendur raste të ndërhyrjeve të pajustifikuara nga zyrtarë publikë dhe politikanë. “Hetimi dhe arrestimi i një zyrtari të zgjedhur shkaktoi reagime të paprecedenta publike, përfshirë përpjekje për të ushtruar presion ndaj SPAK dhe institucioneve të drejtësisë”, thekson raporti.