Vendosni fjalën kyçe....

Balla prezanton projektligjin për Performancën e Energjisë në Ndërtesa: Transformim rrënjësor i mënyrës së ndërtimit dhe rinovimit


Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, prezantoi sot në Kuvend, në emër të qeverisë, projektligjin “Për performancën e energjisë në ndërtesa”, i cili synon të transformojë rrënjësisht mënyrën sesi ndërtohen dhe rinovohen godinat në Shqipëri.

Në fillim të fjalës së tij, Balla iu përgjigj kundërshtimeve nga radhët e opozitës për prezantimin e ligjit nga ana e tij dhe jo nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Duke iu referuar rregullores së Kuvendit, ai deklaroi:

“Nenin 73 të Rregullores së Kuvendit nuk e kemi ndryshuar asnjëherë për të drejtën e deputetëve për pyetje. Neni parashikon që projektligji të prezantohet nga nismëtarët ose anëtarët e Këshillit të Ministrave që kanë lidhje me të. Ministri i Shtetit është një prej tyre dhe e ka votuar këtë projektligj në Këshillin e Ministrave.”

Gjatë prezantimit të ligjit, Balla theksoi se Shqipëria është vendi i parë në rajon që zbaton plotësisht dhe në mënyrë ambicioze direktivën më të fundit të Bashkimit Evropian për performancën energjetike në ndërtesa.

Ky projektligj vendos objektivin që deri në vitin 2050 të gjitha ndërtesat në vend, publike dhe private, të transformohen në godina me konsum minimal energjie.

 Sipas ministrit, kjo nuk është një përafrim formal me BE-në, por një politikë konkrete që vë në qendër qytetarin, mjedisin dhe kursimin e energjisë.

Në vijim, Balla solli në vëmendje ndërhyrjet konkrete të qeverisë në këtë drejtim. Ai përmendi uljen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë me 10.5% nga 1 shkurti 2025, një lehtësi që përfitohet nga 95% e familjeve shqiptare – rreth 1.070.000 abonentë.

“Një familje kursen mesatarisht 100 euro në vit vetëm nga kjo ndërhyrje. Qeveria mbetet e përqendruar në mbështetjen për ata që fitojnë më pak,” u shpreh Balla.

Ai shtoi se të gjitha këto masa janë pjesë e vizionit për ta përmbyllur këtë mandat me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, siç u premtua në zgjedhjet e fundit.

Projektligji pritet me interes të veçantë nga qytetarët që jetojnë në ndërtesa të vjetra, të cilët do të përfitojnë nga masat për përmirësimin energjetik dhe kursimet afatgjata.

Me këtë nismë, Shqipëria synon të ndërtojë themelet për një të ardhme energjetikisht të qëndrueshme, më të pastër dhe më të drejtë për të gjithë qytetarët.