Vendosni fjalën kyçe....

“Nuk e besoja që isha gjallë”- I mbijetuari i vetëm rrëfen momentet e aksidentit


Viswashkumar Ramesh, është i vetmi që i mbijetoi përplasjes fatale të avionit të kompanisë Air India, ku humbën jetën 241 persona. Avioni u rrëzua vetëm pak minuta pas ngritjes nga qyteti Ahmedabad, në veriperëndim të Indisë, ndërsa ishte nisur drejt Londrës.

“Kur hapa sytë, nuk e besoja që isha gjallë. Ishte errësirë, flakë, mbeturina dhe trupa të djegur përreth meje,” tregoi ai nga shtrati i spitalit, ku po trajtohet aktualisht për djegie në dorë dhe plagë të shumta.

Ramesh, i ulur në vendin 11A, tha se avioni dukej i bllokuar në ajër pak çaste pas ngritjes. Sipas tij, pas ndezjes së disa dritave jeshile dhe të bardha, mjeti filloi të përshpejtonte por nuk arriti të fitonte lartësi, derisa u përplas në një ndërtesë.

Ana ku ndodhej ai ra mbi katin përdhes, dhe dera pranë tij u hap me thyerje, duke i krijuar mundësinë për të dalë. “E zgjidha rripin e sigurimit dhe dola me forcë,” tregoi ai. I gjendur në gjendje shoku, ai arriti të ecë disa metra derisa u ndihmua nga banorët e zonës dhe u dërgua me urgjencë në spital.

Kjo ngjarje konsiderohet si një nga katastrofat më të rënda ajrore në historinë e Indisë dhe rrëzimi i parë i një Boeing 787-8 Dreamliner që nga futja e tij në përdorim në vitin 2009.

Kryeministri Narendra Modi vizitoi vendin e ngjarjes një ditë më pas dhe takoi personalisht të mbijetuarin. “I tregova Modit gjithçka që pashë. Ai më pyeti për shëndetin dhe më dha kurajë,” tha Ramesh.

Mjeku që e trajton, Dr. Dhaval Gameti, tha se Ramesh ishte fillimisht i çorientuar dhe me plagë të shumta, por është jashtë rrezikut për jetën./AP