
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur fjalimin kryesor në ceremoninë zyrtare të Ditës së Kosovës në EXPO 2025, që po zhvillohet në Osaka, Japoni. Në fjalën e saj, ajo ka kujtuar Ditën e Çlirimit të Kosovës, më 12 qershor, duke e cilësuar atë si një moment historik që nderon guximin e atyre që luftuan për liri dhe aleancat që mbështetën popullin e Kosovës në kohët më të vështira.
Osmani ka theksuar se Kosova sot është një shtet demokratik që shikon drejt të ardhmes, i udhëhequr nga sundimi i ligjit dhe një brez i ri vizionar, i përkushtuar ndaj vlerave euro-atlantike. Ajo ka vlerësuar marrëdhëniet me Japoninë, duke e cilësuar mbështetjen japoneze pas luftës si themel të një miqësie të fortë dhe të qëndrueshme.
“Populli ynë u lirua përfundimisht nga një regjim gjenocidal – një ditë që nderon kujtimin e atyre që dhanë sakrificën më të madhe”, tha ajo.
Në përfundim të fjalës së saj, Presidentja Osmani ka shprehur pritshmëritë për thellimin e mëtejshëm të partneritetit mes Kosovës dhe Japonisë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për zhvillimin dhe stabilitetin e vendit.