
Gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën e 5-të të Muzeut të Bankës së Shqipërisë, Guvernatori Gent Sejko vuri në dukje rëndësinë historike dhe bashkëkohore të institucionit që ai drejton, duke theksuar se idetë për ngritjen e një banke kombëtare datojnë që prej shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912.
Guvernatori theksoi gjithashtu se ndër vite, Banka e Shqipërisë ka bashkëpunuar me vende të ndryshme dhe më pas ka vijuar funksionimin me kapacitetet e veta, duke pasur gjithmonë një ndikim të madh në jetën ekonomike të vendit.
“Ismail Qemali, pas aktit të Pavarësisë më 1912, me rëndësi konsideronte ngritjen e një Banke, të ndërtuar sipas modeleve të Bankave Europiane. Banka nisi punën duke filluar me standardin e arit. Pas Luftës së Dytë Botërore, Banka ishte e centralizuar.
Banka fillimisht bashkëpunoi me disa shtete, përpara se të mbahej “me forcat e veta”. Edhe pas viteve 1990, Banka e Shqipërisë ka pasur rol të rëndësishëm në jetën e qytetarëve. Gjatë demokracisë, janë marrë reforma të rëndësishme për të ndryshuar Bankën e Shqipërisë.
Banka ka luajtur rol në stabilitetin financiar të vendit. BSH ka afruar praktikat e saj me BE, për t’i paraprirë integrimit. Shqipëria nuk bën sot përjashtim nga realiteti ekonomik global.”