Vendosni fjalën kyçe....

Protestat kundër politikave të Trump nuk ndalen, shpallet shtetrrethim në Los Angelos


Los Angelos është vënë nën shtetrrethim, teksa protestat kundër politikave të ashpra të Presidentit Donald Trump për imigracionin kanë hyrë në ditën e pestë. Vendimi për masat e rrepta u mor nga autoritetet lokale pas tensioneve në rritje dhe përshkallëzimit të situatës në qendër të qytetit.

Një tjetër përplasje institucionale ka shpërthyer mes guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom, dhe administratës federale. Newsom i ka kërkuar gjykatës të ndalojë urgjentisht përfshirjen e Gardës Kombëtare në ndihmë të agjentëve federalë të imigracionit. Sipas tij, përdorimi i forcave ushtarake vetëm sa rrit tensionet dhe rrezikon trazira civile.

Disa trupa të Gardës Kombëtare janë vendosur tashmë për të mbrojtur agjentët gjatë kryerjes së arrestimeve në komunitetet me emigrantë, veprim që është cilësuar si “rrjetë ushtarake” në zemër të qytetit të dytë më të madh të SHBA-së.

Gjykata ka refuzuar të marrë një vendim të menjëhershëm, duke i dhënë kohë administratës federale të vazhdojë operacionet deri në një seancë dëgjimore të enjten.

Përfshirja e Gardës Kombëtare në zbatimin e ligjit po afron trupat ushtarake gjithnjë e më shumë drejt operacioneve që përfshijnë edhe deportimet, një nga premtimet kryesore të presidentit Donald Trump në kuadër të masave të tij të ashpra kundër imigracionit.

Garda Kombëtare ka të drejtë të ndalojë përkohësisht personat që sulmojnë oficerët e rendit, por arrestimet përfundimtare do të kryhen nga policia ose autoritetet ligjzbatuese.

Pavarësisht kundërshtimit të udhëheqësve të qytetit dhe të shtetit, Trump ka urdhëruar aktivizimin e mbi 4,000 anëtarëve të Gardës Kombëtare dhe 700 marinsave. Edhe pse marinsat ende nuk janë parë në terren në Los Angelos, trupat e Gardës kanë pasur një prani të kufizuar dhe nuk janë përfshirë direkt në përplasjet me protestuesit.

Fillimisht, misioni i tyre ishte mbrojtja e ndërtesave federale, por prania e tyre ka shtuar frikën për përshkallëzim të mëtejshëm të situatës.

Ndërsa shtetrrethimi hyri në fuqi, një helikopter policie fluturoi mbi ndërtesat federale në qendër të qytetit që kanë qenë qendra e protestave dhe u urdhëroi njerëzve të largoheshin nga zona. Forcat speciale të policisë me kuaj dhe këmbësorë rrethuan një grup prej disa qindra personash që ishin mbledhur në zonë, duke bërtitur: “Lëvizni!” Shumica e protestuesve u shpërndanë, me disa që u rigrupuan dhe refuzuan urdhrat për t’u shpërndarë.

Zyrtarët thanë se shtetrrethimi ishte i nevojshëm për të ndaluar vandalizmin dhe vjedhjen nga agjitatorët që kërkojnë të shkaktojnë probleme.

Kryetarja e bashkisë së Los Anxhelosit, Karen Bass, shpalli gjendje të jashtëzakonshme lokale dhe tha se shtetrrethimi do të zgjasë nga ora 20:00 e së martës deri në orën 6:00 të së mërkurës.

“Arritëm në një pikë kthese” pasi 23 biznese u plaçkitën, tha Bass gjatë një konference për shtyp.

Oraret policor mbulojnë një zonë prej 2.5 kilometrash katrorë të qendrës së qytetit, që përfshin zonën ku kanë ndodhur protesta që nga e premtja. Qyteti i Los Anxhelosit përfshin një sipërfaqe prej afërsisht 2,300 kilometrash katrorë./AP