Vendosni fjalën kyçe....

Presidentja Vjosa Osmani do të zhvillojë vizitë zyrtare në Japoni


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur një vizitë zyrtare në Japoni, ku do të zhvillojë takime bilaterale me autoritete të larta japoneze. Gjatë vizitës në Tokio, ajo do të pritet në takim nga perandori i Japonisë, si dhe do të zhvillojë një takim bilateral me Kryeministrin e Japonisë, Shigeru Ishiba, për të diskutuar forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Gjithashtu, Presidentja Osmani do të takohet me Kryetarin e Parlamentit, Fukushiro Nukaga, dhe do të marrë pjesë në aktivitete të Expo 2025 në Osaka, ku do të shënohet Dita e Kosovës. Ajo do të mbajë një fjalim në hapjen zyrtare dhe do të vizitojë Pavijonin e Kosovës, ndërsa ceremonia do të shoqërohet me një koncert të Filharmonisë së Kosovës.

Në kuadër të vizitës, Presidentja do të drejtojë një takim biznesor në Tokio, ku do të promovohen mundësitë për investime japoneze në Kosovë. Po ashtu, do të zhvillojë një takim me kryetarin e Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), Tanaka Akihiko, për të diskutuar projekte zhvillimore mes dy vendeve. Si pjesë e agjendës së saj, Osmani do të marrë pjesë në një diskutim me studentë të Sophia University, në kuadër të angazhimeve për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Japonisë.