
Pas miratimit të numërimit të votave për qarkun e Tiranës dhe të Fierit, PD kërkon në KAS të njëjtën gjë edhe për qarkun e Vlorës. Sipas selisë blu, janë gjetur parregullsi të shumta me fletët e votimit e kësisoj kërkon shpalljen e pavlefshme të rezultatit dhe përsëritjen e zgjedhjeve.
Sipas opozitës ka pasur parregullsi me fletët e votimit nëpër kuti, ku nuk rakordojnë shifrat e fletëve të hedhura në kutitë e votimit, me ato të papërdorura, në shumatoren përfundimtare për ato që janë vënë në dispozicion nga KQZ për procesin në qendra.
Sipas relatorit të KAS, Koli Bele, për Vlorën është bërë prova me hapjen e disa kutive dhe nuk doli asnjë parregullsi, pasi fletët e papërdorura ishin gjetur të gjitha.
“Edhe kështu hap kutitë kot, nuk shkon. Le të rrimë gjithë beharin me këtë gjë këtu, e të shkojmë deri në fund korrikut me çështjen. Ne i pamë kutitë e Vlorës që hapëm më parë dhe nuk u panë parregullsi”, tha Bele.
Ndërsa përfaqësuesi i PD, Franc Nuri tha: “Ne pretendojmë se ka fletë që mungojnë në kutinë e votimit, Duhet të gjendet nëse mungojnë 5 fletë votimi të papërdorura apo numrat e ndryshëm nga procesverbali në kuti, pse mungojnë ato fletë dhe ku janë, ose si janë gjendur në kuti. Dilnin në një kuti më shumë fletë votimi sesa të përdorurat.”