
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar me tone të ashpra pas vendimit për zgjatjen me 3 muaj të afatit të hetimeve ndaj Ilir Metës, duke e cilësuar këtë si një akt të drejtësisë së kapur dhe të përdorur për qëllime politike kundër opozitës.
Në një deklaratë për mediat, Blushi theksoi se hetimet ndaj Metës janë në zhvillim prej më shumë se gjashtë vitesh, që prej dhjetorit të vitit 2019, dhe nuk kanë prodhuar asnjë provë apo fakt penal.
Sipas tij, ky proces nuk synon drejtësinë, por shantazhimin dhe eliminimin politik të liderit të Partisë së Lirisë.
“Zgjatja sërish e afatit të hetimeve ndaj Presidentit të Partisë së Lirisë, z. Ilir Meta, pas komunikimit të akuzës dhe mbajtjes së tij në izolim ekstrem për më shumë se 8 muaj, provon se nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë asnjë provë të shkeljes së ligjit apo Kushtetutës nga ana e tij. Edhe për 600 vite të tjera po të hetojnë, nuk do të gjejnë asgjë,” – deklaroi Blushi.
Ai akuzoi strukturën e posaçme SPAK se vepron nën urdhërat e kryeministrit Edi Rama dhe se është kthyer në një “instrument të pisët politik në shërbim të Narkoshtetit”, sipas fjalorit të përdorur prej tij.
“Narkodrejtësia e nxori sërish fytyrën e saj si përfaqësuese e denjë e antiligjit dhe shërbëtore e neveritshme e Edi Ramës… Reforma në Drejtësi me 140 vota është shndërruar në Ramaformë me 69 vota,” – tha Blushi.
Ai njoftoi se Partia e Lirisë do ta ndjekë çështjen deri në fund, duke ndjekur të gjitha procedurat e ankimimit, për ta çuar më pas rastin në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg:
“Ky ankimim në Gjykatën Kushtetuese është një hap përfundimtar për të shteruar të gjitha procedurat e brendshme, në mënyrë që çështja të mbërrijë sa më shpejt në Strasburg, ku Shqipërisë do t’i vendoset njolla më e madhe e zezë e turpit në historinë e një vendi anëtar të Këshillit të Europës dhe të NATO-s.”
Blushi e cilësoi izolimin e Ilir Metës si një akt mafioz dhe pjesë të një plani për të trafikuar mandate dhe për të asgjësuar opozitën dhe llogaridhënien në vend.