Vendosni fjalën kyçe....

Arrest me burg për Klodian Berishën dhe Erion Ndonin, të dyshuar për kontrabandimin e makinës së përdorur në vrasjen e Ermir Dedjas


Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Klodian Berishën, 35 vjeç, dhe Erion Ndonin, 36 vjeç, të akuzuar për kontrabandimin e automjetit që u përdor gjatë vrasjes së 29-vjeçarit Ermir Dedja, ngjarje që ndodhi më 20 maj në lagjen nr.18 të qytetit bregdetar.

Sipas vendimit gjyqësor, të dy të ndaluarit akuzohen për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjerë”, ndërsa dyshohen se kanë futur në mënyrë të paligjshme në Shqipëri dy automjete tip “Seat”, njëri prej të cilëve është përdorur gjatë atentatit ndaj Dedjas. Automjeti tjetër, i cili dyshohet se ishte planifikuar për një ngjarje tjetër kriminale, është sekuestruar nga policia.

Përveç dy të arrestuarve, policia ka shpallur në kërkim edhe shtetasin Xhuljano Dyrmishi, 33 vjeç, nga Durrësi, i dyshuar për “Sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Kontrabandë me mallra të tjera”.

Hetimet e deritanishme kanë çuar në identifikimin e gjithsej pesë personave të përfshirë në këtë ngjarje. Dy ditë pas vrasjes, policia shpalli në kërkim edhe një tjetër shtetas shqiptar, 44 vjeç, me iniciale E. N., banues në fshatin Rrashbull, si dhe një shtetas maroken, 46 vjeç, me inicialet M. D., të dy të dyshuar për përfshirje në sigurimin e kushteve për të kryer vrasje dhe trafikim të mjeteve motorike.

Tre nga personat e shpallur në kërkim ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e tyre po vijojnë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

Policia e Durrësit ka konfirmuar se veprimet hetimore po zhvillohen në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë, me qëllim dokumentimin ligjor të krimit dhe ndëshkimin e autorëve.