Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli merr trupat e dy pengjeve izraelito-amerikane të vrarë më 7 tetor


Izraeli ka rikuperuar trupat e dy pengjeve izraelito-amerikane, Judih Weinstein, 70 vjeçe, dhe Gad Haggai, 72 vjeç, të cilët u vranë dhe u rrëmbyen gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023.

Lajmi u konfirmua nga kryeministri Benjamin Netanyahu, i cili tha se trupat e tyre u kthyen në Izrael pas një operacioni të ushtrisë izraelite dhe shërbimit të sigurisë së brendshme Shin Bet gjatë natës në jug të Gazës, përcjell The Guardian.

Vdekja e çiftit ishte njoftuar që në dhjetor 2023.

“Prindërit e mi të mrekullueshëm janë liruar. Tani kemi siguri,” shkroi vajza e tyre, Iris Haggai Liniado, në një postim në Facebook, duke falënderuar ushtrinë izraelite, FBI-në dhe qeveritë e Izraelit dhe SHBA-së. Ajo u bëri thirrje autoriteteve që të punojnë për lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura.

Ushtria izraelite deklaroi se çifti u vra nga persona të armatosur të Brigadave të Mudxhahedinëve, një grup i vogël palestinez, gjatë sulmit në kibucin Nir Oz.

Forumi i familjeve të pengjeve izraelite reagoi: “Kthimi i Judi-t dhe Gad-it është i dhimbshëm dhe zemërthyes, por gjithashtu sjell lehtësim për pasigurinë tonë. Kjo na kujton se është detyrë e shtetit të sjellë të gjithë pengjet në shtëpi.”

Ata theksuan se vendimmarrësit “duhet të bëjnë gjithçka të nevojshme për të arritur një marrëveshje që do të kthejë të 56 pengjet e mbetura – të gjallët për rehabilitim dhe të vdekurit për t’u varrosur. Nuk ka nevojë të priten edhe 608 ditë të tjera agonie.”

Sipas autoriteteve izraelite, rreth 20 nga 56 pengjet ende besohet të jenë gjallë. Shumica e pengjeve u liruan përmes dy marrëveshjeve të përkohshme me Hamasin në fund të vitit 2023 dhe në fillim të vitit 2025.

Ndërkohë, në Gaza, tensionet vazhdojnë. Pikë-distribuimi të ndihmave ushqimore të menaxhuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), i mbështetur nga SHBA dhe Izraeli, mbetën të mbyllura të enjten për të dytën ditë radhazi.

Vendimi vjen pasi të mërkurën, forcat izraelite hapën zjarr ndaj një turme palestinezësh që prisnin për ndihma, duke vrarë të paktën 27 vetë dhe plagosur qindra të tjerë. GHF deklaroi se po ndërmerrte punime përmirësuese në objektet e veta dhe bëri thirrje për rritje të sigurisë për civilët përreth zonave të shpërndarjes.

Në anën tjetër, autoritetet palestineze të mbrojtjes civile thanë se të paktën 10 persona u vranë nga sulmet ajrore izraelite të enjten.

Që nga 7 tetori, ofensiva ajrore dhe tokësore e Izraelit në Gaza ka shkaktuar mbi 54,000 viktima palestineze, sipas autoriteteve shëndetësore të kontrolluara nga Hamasi, ndërkohë që zona të mëdha të territorit janë shkatërruar dhe ndihmat ushqimore janë bllokuar.

Izraeli ka vendosur një bllokadë të plotë ndaj dërgesave që nga muaji mars, duke pretenduar se Hamasi po i sekuestron ato për militantët e vet – pretendim që mohohet nga grupi dhe nga punonjësit humanitarë në terren.

 Në maj, një raport global për urinë paralajmëroi se gjysmë milioni persona në Gaza përballen me rrezik urie ekstreme në muajt në vijim.