
Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) do të shpallë të enjten, më 5 qershor në orën 09:50, vendimin për kërkesën e Partisë Demokratike për pavlefshmërinë dhe përsëritjen e zgjedhjeve në qarkun e Kukësit, si pjesë e shqyrtimit të ankimimeve të PD për 12 qarqet e vendit në lidhje me zgjedhjet e 11 majit.
Në mbledhjen e sotme u trajtuan gjithashtu edhe ankimimet për qarqet Fier dhe Durrës. Përfaqësuesi i PD-së, Franc Nuri, akuzoi për përdorim të administratës shtetërore, patronazhistëve, “asfalt elektoral” dhe manipulim të votës së diasporës në Fier, ku demokratët humbën 12 me 4 ndaj PS. Ai kërkoi hapjen e kutive dhe verifikimin e votave të diasporës dhe të fletëve të papërdorura, pretendim që PD tashmë e ka zgjeruar për të gjithë vendin.
PD thotë se rreth 130 mijë fletë të papërdorura rezultojnë të mungojnë në kuti, megjithëse hapja e disa kutive në Berat dhe Vlorë nuk e ka provuar këtë pretendim.
KAS vendosi të shtyjë seancën për Fierin me një javë për të mundësuar grumbullimin e mëtejshëm të provave.
Sa i takon Durrësit, në seancë ishin të pranishëm kandidatët e PD-së, Aulon Kalaja dhe Ilirjana Kuçana, të cilët pretendojnë manipulim të votës brenda partisë në favor të kandidatit Arjan Ndoja. Kalaja kërkoi verifikimin e 39 kutive, duke pretenduar devijim të votës së tij.
KAS e pranoi Kalajan si ankimues, por i kërkoi prova konkrete deri ditën e hënë, ndërsa relatori Elvis Çefa njoftoi seanca e radhës do të mbahet të martën, më 10 qershor, në orën 13:00.
Kalaja ka qenë ndër zërat më kritikë të procesit pas përfundimit të zgjedhjeve, duke theksuar se ai mori 7,291 vota, ndërsa mandatin e vetëm e fitoi Ndoja me 8,249 vota, dhe ka kërkuar verifikim të votës preferenciale brenda koalicionit.