
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Athinë, ku u prit nga homologu i tij grek, George Gerapetritis. Takimi u përqendrua në forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe thellimin e marrëdhënieve strategjike mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Gjatë deklaratave për mediat, ministri Gerapetritis vlerësoi aftësitë dhe vizionin evropian të Hasanit, duke zbuluar gjithashtu një detaj të panjohur për publikun: prejardhjen greke të ministrit shqiptar.
“Kemi fatin që në Shqipëri të kemi një ministër që flet gjuhën e arsyes evropiane, por edhe greqishten, për shkak të prejardhjes së tij greke, të cilën e nderon”, u shpreh ai.
Nga ana e tij, ministri Hasani theksoi rëndësinë e miqësisë dhe partneritetit strategjik mes dy vendeve.
“Riafirmuam përkushtimin për të forcuar raportet shqiptaro-greke në një frymë miqësie dhe respekti të ndërsjellë. Bashkë ndajmë vizionin për një Evropë më të bashkuar”, tha Hasani.