
Policia ka goditur një skemë të kontrabandës së rrobave me logot e markave të njohura ndërkombëtare në Tiranë, përmes operacionit “Fake Star 5”. Dy fabrika në zonën e Brrarit përpunonin dhe shisnin veshje të ardhura kontrabandë, kryesisht nga Turqia.
Në pranga kanë rënë, Luan Haka, Ali Bushati, Xhuljo Lecaj dhe Arjan Hida. Në kërkim janë shpallur turku Ozkan Sulun, organizatori i skemës, dhe Lindion Haka, djali i Luan Hakës. Katër punonjës të tjerë po hetohen në gjendje të lirë.
Në dy magazinat u gjetën linja të tëra makinerish për qepje dhe stampim me logo false. Të arrestuarit do të hetohen për disa vepra penale, përfshirë kontrabandë, punësim të paligjshëm, falsifikim dhe shkelje të të drejtave të pronësisë industriale.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i administrimit të inteligjencës policore, të siguruar në vijim të punës kundër kontrabandës dhe krimeve të tjera ekonomiko-financiare, se në Rrugën e Arbërit, në fshatin Brrar, magazinoheshin veshje të kontrabanduara, të cilave iu viheshin logo false të markave të njohura ndërkombëtare, Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar finalizoi operacionin “Fake Star 5”.
Gjatë operacionit:
-u arrestua shtetasi L. H. dhe u shpall në kërkim djali i tij, shtetasi L. H., bashkadministratorë të njërës prej magazinave;
-u arrestuan shtetasit A. B. dhe Xh. L., bashkadministratorë të magazinës tjetër;
-u arrestua shtetasi A. H., qiradhënës i pronave;
-u shpall në kërkim shtetasi turk O. S., i cili koordinonte realizimin e këtyre veprimtarive kriminale;
-u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për shtetasit R. Gj., Z. H., Sh. M. dhe A. H., punonjës në këto magazina.
Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme, u konstatua se 2 magazinat ishin të pajisura me linja makinerish për qepje, printim dhe stampim me logo false, të markave të njohura ndërkombëtare, të veshjeve dhe aksesorëve të dyshuar të kontrabanduar.
Punohet për lokalizimin dhe kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Punësimi i paligjshëm”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Moskallëzimi i krimit”.