Vendosni fjalën kyçe....

SHBA dhe Shqipëria inaugurojnë Komandën e re të Kibernetikës dhe Ndërlidhjes së Forcave të Armatosura


Përfaqësues të lartë të administratës amerikane dhe autoriteteve shqiptare morën pjesë sot në ceremoninë zyrtare të hapjes së Komandës së Kibernetikës dhe Ndërlidhjes të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Në këtë aktivitet morën pjesë e Ngarkuara me Punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, Gjeneralmajor John Phillips – Drejtor i Kibernetikës dhe Komunikimit në Komandën Europiane të SHBA (USEUCOM), si dhe Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu.

Në një reagim zyrtar në rrjetet sociale, Ambasada e SHBA në Tiranë e vlerësoi ngritjen e komandës si një hap të rëndësishëm që dëshmon angazhimin e Shqipërisë për mbrojtjen e hapësirës kibernetike në nivel kombëtar, rajonal dhe në kuadër të NATO-s. Gjithashtu u theksua bashkëpunimi i ngushtë dhe i qëndrueshëm mes Ambasadës së SHBA, USEUCOM dhe Ministrisë së Mbrojtjes në forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes kibernetike të vendit.

Kjo njësi e re pritet të luajë një rol kyç në përballjen me sfidat e sigurisë kibernetike, në një kohë kur kërcënimet në këtë fushë janë në rritje të vazhdueshme.