
Sot në Poloni janë hapur qendrat e votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, një garë tepër e ngushtë mes dy kandidatëve me vizione diametralisht të kundërta për të ardhmen e vendit.
Gara zhvillohet mes kryetarit pro-evropian të Varshavës, Rafał Trzaskowski, i mbështetur nga koalicioni qeverisës i udhëhequr nga Donald Tusk, dhe historianit Karol Nawrocki, ish-boksier amator, i mbështetur nga partia populiste e djathtë Ligj dhe Drejtësi (PiS), e cila qeverisi vendin nga viti 2015 deri në 2023.
Megjithëse posti i presidentit është kryesisht ceremonial, ai mban një ndikim të rëndësishëm në politikën e jashtme dhe të mbrojtjes, si dhe të drejtën për të vënë veton ndaj legjislacionit të ri. Për ta anuluar një veto presidenciale, qeveria ka nevojë për një shumicë prej tre të pestash në parlament – shumicë që aktualisht nuk e zotëron.
Në thelb, zgjedhjet përcaktojnë nëse qeveria e Tusk do të mund të zbatojë reformat e premtuara mbi sundimin e ligjit dhe çështjet sociale si aborti dhe të drejtat e komunitetit LGBTQ, pas 18 muajsh bashkëjetese të vështirë me presidentin aktual të opozitës, Andrzej Duda.
Një fitore e Nawrockit pritet të thellojë bllokadën institucionale, duke e bërë të pamundur miratimin e reformave të mëdha deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2027, pëcjell The Guardian.
Në ditët e fundit të fushatës, të dy kandidatët u përpoqën të tërheqin votuesit e kandidatëve të eliminuar në raundin e parë dhe të mobilizojnë bazat e tyre, me analistët që theksonin se më pak se 200 mijë vota mund të vendosin fituesin.
Sondazhet tregojnë një rezultat tepër të ngushtë, brenda kufijve të gabimit statistikor, duke e bërë këtë zgjedhjen më të paparashikueshme në Poloninë e pas-viteve ’90.
Që prej të premtes mbrëma, vendi ka hyrë në heshtje zgjedhore, çka ndalon çdo lloj fushate apo publikim sondazhesh, duke i lënë qytetarët me vetëm 24 orë reflektimi pas një fushate të ashpër dhe polarizuese.
Rafał Trzaskowski, i diplomuar në Universitetin e Oksfordit dhe kryetar i Varshavës që prej vitit 2018, është përpjekur të paraqitet si një figurë e qëndrueshme dhe e përgatitur për të bashkëpunuar me qeverinë në realizimin e reformave progresiste.
Megjithatë, ai është përballur me sfida për shkak të lidhjeve të tij me qeverinë e Tusk, e cila ka një popullaritet të dobët. Kundërshtarët e kanë akuzuar për elitizëm dhe për pranimin e fondeve të huaja për reklama online në mbështetje të fushatës së tij.
Ndërkohë, Karol Nawrocki është një figurë e re në politikë. Që nga viti 2021 ai ka drejtuar Institutin e Kujtesës Kombëtare, një institut shtetëror me kompetenca hetimore për krimet historike kundër Polonisë.
Zyrtarisht i pavarur por i mbështetur fuqimisht nga PiS, ai shihet si një “fytyrë e re” për të rigjallëruar partinë që ende mbart peshën e trashëgimisë polarizuese të tetë viteve në pushtet.
Ai ka marrë mbështetje publike nga presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri hungarez Viktor Orbán.
Fushata e tij, megjithatë, është shoqëruar me polemika për të kaluarën personale – përfshirë një episod të dyshimtë për marrjen e një apartamenti nga një burrë i moshuar, si dhe pranimin e pjesëmarrjes në një përleshje masive mes huliganëve futbolli në rininë e tij.
Një fitore e Nawrockit mund të ndikojë gjithashtu në qëndrimin e Polonisë ndaj Ukrainës.
Ai ka theksuar disa herë historinë e vështirë mes dy vendeve dhe ka shprehur hapur kundërshtimin ndaj anëtarësimit të Ukrainës në NATO.
Qendrat e votimit do të mbyllen në orën 21:00 me orën lokale (20:00 BST), kur do të publikohen edhe sondazhet e para dalëse. Por duke qenë se gara është tepër e ngushtë, rezultati mund të vonojë dhe do të varet nga numërimi i votave gjatë natës.