Vendosni fjalën kyçe....

Hamasi kthen përgjigje të paqartë ndaj propozimit amerikan të armëpushimit, asnjë marrëveshje, thotë zyrtari izraelit


Hamasi njoftoi të shtunën pasdite se kishte paraqitur përgjigjen e tij ndaj propozimit të fundit të armëpushimit të paraqitur nga i dërguari i posaçëm i SHBA, Steve Witkoff, por nuk deklaroi qartë nëse e pranoi apo e hodhi poshtë marrëveshjen.

Në një deklaratë, grupi terrorist tha se propozimi “synon të arrijë një armëpushim të përhershëm, një tërheqje gjithëpërfshirëse nga Rripi i Gazës dhe të sigurojë rrjedhën e ndihmave humanitare për njerëzit dhe familjet tona në Gaza”. Grupi gjithashtu vuri në dukje se, si pjesë e marrëveshjes, 10 pengje të gjallë dhe trupat e 18 të tjerëve do liroheshin në këmbim të një numri të rënë dakord të të burgosurve palestinezë.

Një zyrtar izraelit u përgjigj duke akuzuar Hamasin për refuzimin efektiv të propozimit të Ëitkoff, duke thënë se grupi kishte paraqitur një version të ri me kushtet e veta. Autoritetet izraelite vijojnë të këmbëngulin se propozimi duhet pranuar ashtu siç është dhe se çdo shtesë apo rezervë do kërkonte rinovim të negociatave.

Më herët të shtunën, media saudite raportoi se Hamasi pritej të pajtohej me planin vetëm në parim, duke bashkangjitur kushte dhe paralajmërime. Zyrtarët izraelitë thonë se një përgjigje e tillë e kushtëzuar nuk përbën pranim sipas kushteve të paraqitura, shkruan Ynetnews.

Sipas transmetuesit saudit Al Hadath, fraksionet palestineze në Gaza thuhet se i kanë kërkuar Hamasit të pranojë propozimin, duke e parë atë si një mundësi për të ndalur luftën dhe për të lehtësuar krizën humanitare, pavarësisht nga mangësitë e saj. Një fraksion thuhet se tha: “Ky propozim mund të ndalojë urinë dhe shpërnguljen.”

Skema e armëpushimit të Ëitkoff-it propozon një ndalesë 60-ditore të armiqësive gjatë së cilës Hamasi do të lironte 10 pengje të gjallë dhe eshtrat e 18 të tjerëve në dy faza – gjysma në ditën e parë dhe gjysma në të shtatën. Në këmbim, Izraeli do lironte 125 të burgosur palestinezë që vuanin dënimin e përjetshëm, 1,111 të burgosur të tjerë palestinezë nga Gaza të arrestuar gjatë luftës dhe do kthente 180 trupa të terroristëve palestinezë.

Plani përfshin gjithashtu dërgesat e përditshme të ndihmave humanitare në Gaza dhe përcakton se negociatat për përfundimin e përhershëm të armiqësive do fillojnë gjatë periudhës së armëpushimit.

Media egjiptiane Alghad TV raportoi, duke cituar burime, se përgjigja e Hamasit ndaj ndërmjetësve të Egjiptit dhe Katarit përfshin një afat kohor të propozuar për lirimin e pengjeve në tre faza: katër në ditën e parë, dy në ditën e 30-të dhe katër në ditën e 60-të. Sipas kushteve të vendosura nga grupi terrorist, eshtrat e pengjeve të vdekur do ktheheshin gjithashtu në tri faza – në ditët 10, 30 dhe 50.

Burimet shtuan se përgjigja e Hamasit përfshin gjithashtu kërkesat për lejimin e banorëve të Gazës që të dalin dhe të rihyjnë në enklavë përmes kalimit Rafah, përveç një tërheqjeje të plotë të IDF-së dhe nisjes së negociatave që synojnë arritjen e një marrëveshjeje të përhershme armëpushimi.