Vendosni fjalën kyçe....

“Berisha nuk dorëhiqet se e njoh, vazhdon pazari PS-PD” – Topi


Bamir Topi pohoi pasditen e sotme se për aq sa e njeh ai kreun e PD-së Berisha, ky i fundit nuk do japë dorëheqje nga drejtimi i partisë.

Ish-presidenti theksoi se sistemi zgjedhor bën që rezultati të caktohet në tavolinë ndërsa shtoi se Rama “e ka në xhep” edhe 2029-ën. Sipas Topit, Berisha ka qenë i bindur se do ishte në opozitë pas 11 majit.

“Jo. Me aq sa e njoh unë kjo nuk ndodh, Berisha nuk do dorëhiqet. E kemi bërë këtë analizë për situatën e Shqipërisë në vitin 2030. Këtu kam qenë kur të kam thënë zgjedhjet janë në 2025, ku është 2029-a që ai nuk e përmend? Ai tregon që e ka në xhep. Pse e ka në xhep? Sepse e ka të thjeshtë, rezultati përcaktohet në tavolinë sepse i tillë është sistemi. A ka anomali më të madhe që ti merr vota të duash dhe përkthehen në një mandat ose nuk përkthehen fare. Është anomali. Berisha ka qenë i bindur që do ishte në opozitë. Mënyra se si u luajt, për mua ka nxjerrë nga lista e kompeticionit politik në Shqipëri, pothuajse të gjitha partitë që morën pjesë në koalicionin humbës të Sali Berishës. Për më tepër 2-3 kryetarë partish zgjodhën të ishin në listën e hapur dhe morën një rezultat dramatik, që do të thotë se nuk u lejon atyre moralisht që të rikthehen politikisht në krye të partive.” –­ tha Topi.

Ish-deputeti demokrat tha se pazari PS-PD vijon dhe këtë e tregoi bashkimi i votave në KAS kundër kërkesave të disa kandidatëve demokratë për rinumërim votash.

“Zgjidh ti emrin e një personaliteti me famë botërore, sille në Shqipëri të futet në zgjedhje me këtë kod elektoral, të jesh i sigurt që do të largohet i turpëruar. Pra, jo këta të dy, Edi Rama dhe Sali Berisha janë koshientë për çfarë kanë bërë. E pe çfarë ndodhi dje për ta bërë më konkrete historinë, disa zëra që vijnë nga PD që kërkojnë të rilexohet rezultati, praktikisht u rrëzuan me vota të përbashkuara të PS dhe PD në KAS. Pra, pazari vazhdon. Në rast se do të ishte titulli i një editoriali për të dhënë fizionominë e zgjedhjeve do të ishte: “Pazari vazhdon”! Dhe kur pazari vazhdon dhe dikush është në mandatin e 4-ët dhe dikush në disfatën e radhës, unë them që ky i dyti që është në disfatë e mirëpret sepse ka marrë monopolin e opozitës. Ju mendoni se është i dëshpëruar? Prandaj them unë që ka hipokrizi.” – shtoi Topi.