Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata Supreme miraton planin e Trump për dëbimin e emigrantëve nga Amerika e Jugut


Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara ka lejuar administratën e presidentit Donald Trump të heqë statusin e përkohshëm ligjor të qindra mijëra migrantëve nga Venezuela, Kuba, Haiti dhe Nikaragua, duke forcuar përpjekjet e tij për të shtuar deportimet.

Vendimi pezullon urdhrin e një gjykate federale në Boston që bllokonte përkohësisht përfundimin e programit të “parole”-s, i cili ishte krijuar nga paraardhësi i Trump-it, Joe Biden.

Programi kishte dhënë leje qëndrimi dhe pune për 532,000 migrantë, por tani shumë prej tyre rrezikojnë të dëbohen menjëherë, ndërsa çështja kalon në gjykatat e instancave më të ulëta, sipas Reuters.

Vendimi i Gjykatës së Lartë, i marrë në mënyrë të përshpejtuar dhe pa arsyetim të publikuar, u kundërshtua publikisht nga dy prej tre gjyqtarëve liberalë, Ketanji Brown Jackson dhe Sonia Sotomayor.

Jackson tha se vendimi “nënvlerëson pasojat shkatërruese” për qindra mijëra njerëz që rrezikojnë të ndahen nga familjet dhe të përballen me dëbim të shpejtë drejt vendeve të tyre të origjinës.

Programi i “parole”-s, një mjet ligjor për të lejuar hyrjen dhe qëndrimin e përkohshëm në SHBA për arsye humanitare ose për përfitim publik të rëndësishëm, u përdor nga Biden për të menaxhuar emigracionin nga disa vende të Amerikës Latine në kushte të jashtëzakonshme.

Trump, që riktheu presidencën në janar 2025, nënshkroi një urdhër ekzekutiv në ditën e parë të mandatit të tij për të përfunduar këto programe.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare më pas filloi heqjen e statusit “parole”, duke i dhënë fund granteve dyvjeçare dhe duke lehtësuar kalimin e migrantëve në procedura të përshpejtuara dëbimi.

Kjo është një nga shumë çështjet që administrata Trump ka sjellë në Gjykatën e Lartë për të rrëzuar vendimet gjyqësore që pengojnë politikat e tij të ashpra ndaj emigracionit.

Gjykata më e lartë lejoi gjithashtu më 19 maj heqjen e mbrojtjes nga deportimi për rreth 350,000 venezuelianë që e kishin përfituar statusin e tyre gjatë administratës Biden.

Avokatët e migrantëve paralajmëruan se përfundimi i parakohshëm i “parole”-s do të sjellë ndarje familjesh dhe dëbim të menjëhershëm drejt vendeve të pasigurta, ku ata rrezikojnë përndjekje, dhunë, apo edhe vdekje.