Vendosni fjalën kyçe....

Kanadaja kërkon të bashkohet me planin europian të mbrojtjes deri më 1 korrik


Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, ka deklaruar se dëshiron që vendi i tij t’i bashkohet planit madhor evropian për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse, të njohur si ReArm Europe, deri më 1 korrik. Në një intervistë për televizionin publik CBC të martën, Carney theksoi se synimi është të rritet ndjeshëm buxheti i mbrojtjes në kontinent gjatë pesë viteve të ardhshme dhe të reduktohet varësia nga Shtetet e Bashkuara.

“75 centë nga çdo dollar që Kanadaja shpenzon për mbrojtjen shkojnë në SHBA. Kjo nuk është e mençur”, tha ai.

Deklaratat vijnë në një klimë tensioni me SHBA-në, pas kërcënimeve të presidentit Donald Trump. Megjithatë, Carney ka shprehur më herët gatishmërinë për të marrë pjesë në një projekt të mbrojtjes nga raketat të propozuar pikërisht nga Trump.

Të mërkurën, një ditë pas këtyre deklaratave, ministri kanadez i Mbrojtjes, David McGuinty, foli në një panair të industrisë ushtarake, ku tha se Kanadaja synon të përshpejtojë forcimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse përballë rreziqeve globale në rritje.

“Sot, mjedisi global i sigurisë është i paqëndrueshëm dhe i paparashikueshëm”, tha McGuinty, duke përmendur luftën e Rusisë në Ukrainë dhe një Kinë gjithnjë e më të guximshme. Ai nënvizoi se Arktiku do të jetë një prioritet i veçantë, ku vendi përballet me sfida ndaj sovranitetit të tij nga vende rivale.

Tema e mbrojtjes ishte pjesë edhe e Fjalimit nga Froni, që u mbajt të martën për të hapur sesionin e ri të Parlamentit. Fjalimi u lexua nga Mbreti Charles III, gjatë një vizite zyrtare që synonte të theksonte identitetin dhe sovranitetin e Kanadasë.

Në këtë adresim, i përgatitur në bashkëpunim nga qeveria kanadeze dhe Mbreti, u përfshinë angazhime për “rikonstruktim, riarmatim dhe riinvestim” në ushtrinë kanadeze, si dhe për forcimin e marrëdhënieve të mbrojtjes me aleatët europianë. U përmend gjithashtu synimi për t’iu bashkuar planit ReArm Europe.

Deklaratat nga zyrtarët kanadezë vijnë pasi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, bëri thirrje që vendet anëtare, përfshirë Kanadanë, të rrisin buxhetin e mbrojtjes në 5% të PBB-së, nga objektivi aktual prej 2%. Sipas tij, rreziqet nga Rusia, Kina, Koreja e Veriut dhe Irani po shtohen dhe kërkojnë përgatitje për një konfrontim afatgjatë.

Kjo propozim për objektivin e ri financiar do të diskutohet në samitin e NATO-s që pritet të mbahet në Holandë në fund të qershorit.

Kanadaja është kritikuar shpesh për mospërmbushjen e objektivave të NATO-s. Vitin e kaluar, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Mike Johnson, e akuzoi vendin se “po përfiton në kurriz të Amerikës”.

Ndërkohë, sektori i biznesit në Kanada ka kërkuar rritje të ndjeshme të investimeve në industrinë e mbrojtjes, duke e parë këtë si një mënyrë për të nxitur ekonominë.

McGuinty deklaroi se qeveria e Carney-t do të përqendrohet në blerjen e teknologjive ushtarake dhe pajisjeve nga kompanitë kanadeze. Ai gjithashtu përmendi se po zhvillohen bisedime të nivelit të lartë me SHBA-në për pjesëmarrjen e mundshme në sistemin mbrojtës të raketave “Golden Dome”, të promovuar nga Trump.

Në një postim në rrjetin e tij social, Trump shkroi se projekti Golden Dome do t’i kushtonte Kanadasë 61 miliardë dollarë amerikanë, “nëse mbetet një komb i ndarë dhe i pabarabartë”. Ai shtoi se kostoja do të ishte zero, “nëse bëhen shteti ynë i 51-të”. Trump pretendoi gjithashtu se “Kanadaja po e shqyrton ofertën”.

Zyra e kryeministrit Carney reagoi menjëherë, duke theksuar në një deklaratë: “Kryeministri ka qenë i qartë në çdo rast, përfshirë edhe bisedat me Presidentin Trump: Kanadaja është një shtet i pavarur dhe sovran, dhe do të mbetet i tillë.”