Vendosni fjalën kyçe....

Të shtëna në Ditën e Përkujtimit në SHBA, dy të vrarë dhe 9 të plagosur në Filadelfia


Dy persona humbën jetën dhe nëntë të tjerë, mes tyre edhe tre adoleshentë, mbetën të plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Parkun Fairmount në Filadelfia, gjatë mbrëmjes së Ditës së Përkujtimit, bëri me dije policia amerikane të martën.

Të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën dhe ndodhen në gjendje të qëndrueshme, ndërsa viktimat e ndjera janë një burrë dhe një grua, të dy të rritur.

Ngjarja ndodhi në një kohë kur në park kishte një numër të madh të rriturish. Policia ka deklaruar se deri më tani nuk është gjetur asnjë armë dhe nuk është kryer asnjë arrestim.

“Kjo ngjarje është domethënëse për ne. Është Dita e Përkujtimit dhe ne e kuptojmë rëndësinë që ka kjo ditë për qytetarët. Do të sigurohemi të japim përditësime për hetimet”, tha një zyrtar i policisë në një deklaratë për mediat.

Dita e Përkujtimit, e cila shënohet të hënën e fundit të muajit maj, është një festë zyrtare në Shtetet e Bashkuara që i kushtohet nderimit të ushtarëve amerikanë që kanë rënë në krye të detyrës./Reuters