
Një incident i rëndë ka ndodhur të hënën në Liverpool, ku një burrë 53-vjeçar britanik përplasi një minivan drejt një turme tifozësh të klubit të Liverpoolit, të cilët po festonin fitoren në kampionatin e Premier League. Si pasojë e përplasjes, mbi 45 persona u plagosën, ndërsa atmosfera festive u kthye në panik dhe tmerr.
Sipas autoriteteve britanike, ngjarja nuk po hetohet si akt terrorist dhe besohet se shoferi i arrestuar është personi i vetëm i përfshirë në incident.
Shërbimi i Ambulancës i Rajonit Veriperëndimor njoftoi se 27 persona janë transportuar në spital, përfshirë dy që ndodhen në gjendje të rëndë. 20 të tjerë kanë marrë ndihmën mjekësore në vendngjarje për lëndime të lehta. Të paktën katër fëmijë janë mes të plagosurve.

Katër prej të lënduarve, përfshirë një fëmijë, mbetën të bllokuar nën automjetin që përplasi turmën. Zjarrfikësit ndërhynë duke ngritur minivanin për të shpëtuar të lënduarit. Edhe një ndihmës mjekësor që ndodhej në vendngjarje u godit, por fatmirësisht nuk pësoi lëndime.
“Kjo ka hedhur një hije të errët mbi atë që ishte një ditë gëzimi për qytetin tonë”, deklaroi kryetari i Këshillit Bashkiak të Liverpoolit, Liam Robinson, në një konferencë për shtyp të mbajtur në mbrëmje.
Tifozët e Liverpoolit kishin dalë me qindra mijëra në rrugët e qytetit për të festuar triumfin e ekipit në Premier League këtë sezon, duke barazuar rekordin historik prej 20 titujsh kampionë në ligën kryesore angleze.

Pas ngjarjes tragjike, policia konfirmoi se po zhvillohen hetime të thelluara për të zbuluar shkaqet që çuan në përplasjen e dhunshme. Autoritetet u bënë thirrje qytetarëve që të shmangin spekulimet dhe shpërndarjen e pamjeve tronditëse në rrjetet sociale, duke theksuar se kjo mund të dëmtojë hetimin dhe të përhapë panik të panevojshëm.
Policia gjithashtu identifikoi të dyshuarin si një burrë i racës së bardhë, në një përpjekje për të frenuar dezinformimin që mund të përhapet në internet lidhur me identitetin apo motivet e ngjarjes./AP