Vendosni fjalën kyçe....

Kurti reagon pas ndalimit të ish-deputetit Agusholli në kufi: Serbia s’do marrëdhënie normale me Kosovën


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas ndalimit të ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Gramos Agusholli, nga autoritetet serbe në pikën kufitare në Merdarë. Agusholli u mbajt për disa orë nga policia serbe, para se të lirohej dhe të vazhdonte rrugën për në Lubjanë.

Në një postim në Facebook, Kurti tha se ky është një tjetër shembull që tregon se Serbia nuk ka interes për marrëdhënie të mira fqinjësore me Kosovën.

“Serbia nuk lëshon rast për ta dëshmuar se nuk do e as synon marrëdhënie normale e fqinjësore. Ndalimi i ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Gramos Agushollit nga autoritetet e shtetit serb në pikën kufitare në Merdarë për orë të tëra është prova e radhës,” shkroi Kurti.

Ai shtoi se këto praktika të përsëritura nga Serbia kanë për qëllim frikësimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Kosovës dhe duhet të dënohen nga komuniteti ndërkombëtar.

“Përgëzoj institucionet tona dhe shtetet partnere për reagimin e shpejtë dhe të suksesshëm. Gramosit i dëshiroj qëndrim të mbarë në Lubjanë,” përfundoi Kurti.