Vendosni fjalën kyçe....

Aksidenti fatal në minierën e kromit në Prrenjas ku humbi jetën 58-vjeçari, administratori: U shemb tavani i galerisë


Një aksident tragjik ka ndodhur këtë të hënë në minierën e kromit në Katjel, Prrenjas, ku ka humbur jetën minatori 58-vjeçar, Sajmir Bego.

Ngjarja ka ndodhur gjatë mesditës, ndërsa u konfirmua nga administratori i minierës, Gëzim Balla, në një komunikim telefonik për “BalkanWeb”.

Sipas Ballës, miniera nuk ka qenë në funksion për disa ditë për nxjerrje minerali dhe kohët e fundit ishte punuar në galeri për krijimin e kushteve optimale për rifillimin e procesit të punës.

Ai theksoi se siguria e minatorëve është prioritet dhe se ishin marrë të gjitha masat për përgatitjen e tyre për rifillimin e aktivitetit.

“Drejtuesi teknik i kompanisë, Hysni Kllogjri, ka inspektuar kushtet e sigurisë dhe ka zhvilluar trajnimin e zakonshëm me minatorët përpara se të nisnin punën,” – u shpreh Balla.

Megjithatë, gjatë orëve të mesditës, ndodhi aksidenti fatal. Përgjegjësi i turnit, Gëzim Kllogjri, e njoftoi Ballën për ngjarjen e rëndë.

“Jam informuar se ka pasur një shembje nga tavani i galerisë dhe minatori 58-vjeçar është goditur në kokë nga një gur, duke ndërruar jetë në vend. Kjo ngjarje na ka shokuar të gjithëve. Ndjej trishtim dhe dhimbje të thellë për këtë humbje,” – tha ai.

Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. ndërkohë që miniera është pezulluar deri në një njoftim të dytë.