
Kievi ka konfirmuar se Kina po furnizon një sërë produktesh të rëndësishme për fabrikat ushtarake ruse, deklaroi të hënën shefi i inteligjencës së jashtme të Ukrainës, Oleh Ivashçenko.
“Në dispozicion kemi informacion që Kina po dërgon makina përpunimi, produkte kimike speciale, barut dhe komponentë të tjerë pikërisht për industritë e prodhimit të armatimit,” tha Ivashçenko për agjencinë shtetërore Ukrinform.
“Kemi të dhëna të konfirmuara për 20 fabrika ruse“, shtoi ai, sipas Reuters.
Reuters i ka kërkuar një koment Ministrisë së Jashtme të Kinës, por ende nuk ka një përgjigje zyrtare.
Që nga nisja e agresionit rus në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, Kina – ekonomia e dytë më e madhe në botë – ka thelluar lidhjet tregtare dhe ekonomike me Rusinë, ndërkohë që vendet perëndimore kanë vendosur sanksione të shumta ndaj Moskës.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi muajin e kaluar se Kina po furnizon Rusinë me armë dhe barut, hera e parë kjo, që ai e akuzoi publikisht Pekinin për ndihmë të drejtpërdrejtë ushtarake ndaj Moskës.
Kina i hodhi poshtë akuzat si “të pabazuara”, por Ukraina reagoi duke vendosur sanksione ndaj tre entiteteve kineze.