Vendosni fjalën kyçe....

Prindërit protestë kundër infektimeve me salmonelë: Pjesëmarrja në protestë është e ulët, kanë frikë se mos ikin nga vendet e punës


Prindërit e fëmijëve të infektuar me salmonelë në kopshtin numër 1 në Gramsh mbajtën sot një protestë para godinës së Bashkisë, duke kërkuar përgjegjësi dhe transparencë për situatën. Sipas të dhënave, 14 fëmijë janë prekur nga infeksioni, ndërsa reagimi institucional ka munguar plotësisht.

Pjesëmarrja në protestë ishte e ulët, çka sipas një prej prindërve lidhet me frikën e pushimeve nga puna.

Ajo tha se përgjigjet për analizat u janë dhënë me shumë vonesë dhe vetëm pas përplasjes me stafin e institucionit. 

Prindërit shprehën shqetësimin edhe për mënyrën e menaxhimit të shërbimit ushqimor në kopsht, duke pretenduar se tenderi i është dhënë një biznesi jashtë qytetit.

“Përgjigjen e kam marrë dje pas disa sherreve në kopsht, nuk na jepnin përgjigje që kishim për ta marrë që të shtunën. Thonin që nuk jepet kështu përgjigja.

Nuk kemi parë asgjë nga ana e tyre. Përderisa është një sëmundje ngjitëse, mbase duhej një person mbase nga infektivi të na orientonte se si duhej të veprojmë. Askush as nuk na ka pyetur se si është fëmija.

I kam marr fëmijës vetëm një mjekim që i kam marrë me lekët e mia. Nga shteti nuk kemi parë asnjë lëvizje, nuk është gjëkundi.

Pjesëmarrja në protestë është e ulët sepse ne i njohim dhe kanë frikë se mos ikin nga vendet e punës. Por mua përpara fëmijës tim nuk më intereson asgjë.

Duam të zbardhet e drejta. Me sa shohim është një tender që i është dhënë një biznesi jashtë qytetit tonë”, tha ajo.

 Një nënë tregoi shqetësimin e saj për gjendjen e djalit të saj, i cili vijon të ketë dhimbje stomaku dhe diarre edhe pas disa ditësh trajtimi.

“Fëmija është infektuar me salmonelë. Vijon të ketë dhimbje stomaku dhe diarre. Kam edhe një vajzë tjetër, i kemi bërë analizat dhe jemi në pritje të përgjigjeve.

Fillimisht menduam se ishte thjesht temperaturë dhe e trajtuam me medikamente për virozë, por më vonë mësuam se ishte salmonelë. Kemi tetë ditë që jetojmë me ankth. Kërkoj siguri për ushqimin që u jepet fëmijëve tanë,” u shpreh ajo.

Dhjetëra fëmijë në qytetin e Gramshit shfaqen shenja helmimi gjatë kësaj jave, të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga ushqimi i konsumuar në një kopsht shtetëror.

Shërbimi i ushqimit në këtë institucion ofrohet nga një kompani private përmes sistemit të kateringut.

Fillimisht, prindërit dyshuan për një virus stinor, por analizat mjekësore kanë treguar intoksikacion nga salmonela një bakter që zakonisht përhapet përmes ushqimit të kontaminuar.