
Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ashpër ndaj presidentit rus Vladimir Putin, pas sulmit më të madh ajror të regjistruar deri më tani në luftën trevjeçare të Rusisë ndaj Ukrainës.
“Nuk jam i kënaqur me atë që po bën Putini. Ai po vret shumë njerëz, dhe nuk e di çfarë dreqin i ka ndodhur,” tha Trump për gazetarët të dielën, pak orë para se të publikonte një deklaratë edhe më të drejtpërdrejtë në rrjetin e tij social, Truth Social.
“Gjithmonë kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë me Vladimir Putinin, por diçka i ka ndodhur. Ai është çmendur plotësisht! Po vret shumë njerëz, dhe nuk po flas vetëm për ushtarë. Raketa dhe dronë po godasin qytete të tëra në Ukrainë, pa asnjë arsye”, shkroi Trump.
Përveç kritikave ndaj Putinit, Trump nuk kurseu as presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke thënë se ai nuk po ndihmon vendin e tij me retorikën që përdor.
“Presidenti Zelensky nuk po i bën asnjë nder vendit të tij duke folur në këtë mënyrë. Çdo gjë që del nga goja e tij shkakton probleme – nuk më pëlqen dhe më mirë të ndalet,” shtoi Trump.
Deklaratat e tij erdhën pas një apel të fortë të presidentit ukrainas, i cili paralajmëroi se “heshtja e Amerikës” po i jep zemër Putinit për të vazhduar sulmet./CNN