
Regjisori i njohur shqiptar, Piro Milkani, ka ndërruar jetë. Lajmin e hidhur e bëri të ditur i biri, Eno Mikani, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shkroi: “Iku babai, shoku dhe kolegu im.”
Piro Milkani ishte një nga figurat më të rëndësishme të kinematografisë shqiptare, me një karrierë të gjatë dhe një kontribut të jashtëzakonshëm në artin e regjisurës.
Piro Milkani lindi më 9 dhjetor 1939 në Korçë. Pas përfundimit të shkollës së mesme në vendlindje, ai vijoi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Pragë, Çekosllovaki, ku u diplomua si operator filmi. Gjatë studimeve realizoi filmin e diplomës, Nenavist (Mosmirënjohja), që shënoi nisjen e karrierës së tij në kinematografi.
Pas kthimit në Shqipëri, Milkani u angazhua në Kinostudion “Shqipëria e Re” fillimisht si operator, më pas si regjisor. Ai ka realizuar mbi 20 filma artistikë, mes të cilëve veçohen Ngadhënjim mbi vdekjen (1967), Shtigje lufte (1974), Militanti (1984), Pranvera s’erdhi vetëm (1988) dhe Trishtimi i zonjës Shnajder (2006).
Për kontributin e tij të madh në kinematografinë shqiptare, Milkani është nderuar me shumë tituj dhe çmime, përfshirë “Artist i Popullit” në vitin 1987 dhe medaljen “Ambasador i Filmit Shqiptar” nga Ministria e Kulturës.