
Altin Morina, ish-efektiv i forcave RENEA, rezulton të ketë pasur rol aktiv në një rrjet të gjerë të trafikut të drogës, të lidhur ngushtë me emra të njohur të botës së krimit, si Ekil Ndërnjaku. Sipas dosjes së SPAK për operacionin “Ura”, të dy konsiderohen pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me transportin e hashashit nga Shqipëria drejt Italisë, por edhe me trafikimin e sasive të tjera të lëndëve narkotike nga vende të ndryshme të Evropës, përfshirë Spanjën dhe Gjermaninë.
Në një bisedë të zbardhur nga SkyECC, Ndërnjaku i kërkon informacion Morinës për transport droge nga Spanja:
Ekil Ndërnjaku: “Ka kamiona nga Spanja? Ne transporti na duhet rregullisht… të na thotë ai sa merr për kile, në fusim minimumi 150 kile bar e çokollatë.”
Në komunikime të tjera, Altin Morina tregon se ka siguruar kontakte për trafik edhe në Gjermani dhe Ekuador:
Altin Morina: “Fola pak me një shok në Gjermani, ka bërë një dalje.”
Altin Morina: “Më shkrujti një shok që e kam në Ekuador.”
Ekil Ndërnjaku: “Shok flasim nga afër.”
SPAK thekson se të dy shkëmbenin në celular edhe foto të kokainës dhe marijuanës. Morina, për shkak të detyrës në polici, kishte akses në sisteme konfidenciale dhe përdorte këtë mundësi për të ndihmuar bashkëpunëtorët e tij në trafik.
Në një rast, Ndërnjaku i kërkoi informacion për një person me inicialet L. Dosku, vëllai i një trafikanti në Spanjë. Morina jo vetëm që konsultoi të dhënat e sistemit, por, sipas SPAK, kërkoi ndihmë edhe nga ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano. Megjithatë, emri nuk rezultoi në sistem.
Një tjetër episod domethënës ka ndodhur më 24 shtator 2024, kur një person i paidentifikuar i kërkon Ndërnjakut ndërhyrje për të ndryshuar një ekspertizë balistike që përfshinte një armë të sekuestruar të Edmond Koçit, i njohur si Mond Çekiçi. Për këtë, Ndërnjaku i drejtohet Morinës:
Ekil Ndërnjaku: “Shok, me të pyt, a kemi një me rregulla atje në Tiranë? Kanë kap një shok me armë dhe t’ia rregullojmë gjilpërën.”
Altin Morina: “Kur e kanë kap… po po, e marr vesh kush është.”
Ekil Ndërnjaku: “Mond Çekiçi.”
Ndërkohë, përfshirja e Morinës në veprimtari të paligjshme nuk është e re. Ai është arrestuar më parë në kuadër të operacionit “Revanshi”, ku akuzohet se ka bashkëpunuar me Durim Bamin për kultivimin e kanabisit në Nikël dhe Tapizë të Krujës. Po ashtu, në mars 2023, ai u kap me 113 mijë euro në makinë, por u lirua pas një muaji.
Këto të dhëna nxjerrin në pah shkallën e thellë të përfshirjes së individëve me pozita në institucionet e sigurisë në rrjete të strukturuara kriminale që operonin në nivel ndërkombëtar.