
Seanca gjyqësore për çështjen e njohur si “Dosja 5D” është zhvilluar sot mes tensioneve të theksuara mes avokatëve mbrojtës. Përfaqësuesit ligjorë të të pandehurve Redi Molla dhe Denion Bogdani depozituan kërkesa për gjykim të shkurtuar dhe kërkuan pezullimin e seancës derisa të merrej një vendim mbi këto kërkesa.
Në të njëjtën linjë vepruan edhe avokatët e të pandehurve Ermir Beta dhe Ardian Leka, të cilët kërkuan shtyrjen e seancës për të njëjtin motiv.
Ndryshe nga ta, avokatja Evi Sheri, që përfaqëson Taulant Tushën, kundërshtoi shtyrjen dhe kërkoi vijimin e shqyrtimit gjyqësor. Qëndrimi i saj shkaktoi përplasje dhe debat mes palëve të pranishme në sallën e gjyqit.
Ndërkohë, prokurori i çështjes, Klodian Braho, theksoi se kërkesa për gjykim të shkurtuar nuk përbën një arsye të vlefshme për të ndërprerë seancën.
Në përfundim, trupa gjyqësore vendosi të tërhiqet për të marrë një vendim të ndërmjetëm lidhur me kërkesat e paraqitura.