
Kandidati i listës së hapur tëPD-së në qarkun Tiranë Ilir Alimehmeti kritikoi sistemin zgjedhor i cili sipas tij i nxjerr të gjithë të humbur dhe i largon kandidatët nga zgjedhësit.
I ftuar në emisionin Frontline në Report Tv, Alimehmeti i cili u rendit si kandidati i dytë më i votuar në Tiranë pas Jorida Tabakut duke humbur mundësinë për t’u zgjedhur deputet, ai tha se mbëështet demokracinë e drejtpërdrejtë.
“Unë besoj shumë te demokracia nga poshtë lart. Kanë folur njerëzit shumë qartë. Njerëzit e dinë shumë mirë se cila është e duhura. Herë pas here po. Por ne duhet të shohim pjesën e madhe. Në këtë sistem elektoral mendoj unë dalin të gjithë të humbur. Jo vetëm kandidatët, por edhe njerëzit. Sepse sistemi është bërë gjithnjë e më i fallco dhe i largon të zgjedhurit nga zgjedhësit. Unë kam qenë mbështetës i demokracisë së drejtpërdrejtë, ajo që kemi pasur 20 vjet më parë. Kam për borxh të ngre zërin tim, sepse është zëri i njerëzve. Më pyesin, ‘a je deputeti i zonës?’ Sepse ka shumë rëndësi ky fakt. Mazhoritari, për shembull, prodhonte një sistem më të fortë. Ky sistem i tanishëm u ka hequr njerëzve përfaqësuesin.” – tha Alimehmeti.
Mjeku i njohur shtoi se shumë shpejt pritet që strukturat e PD-së të mblidhen, të analizojnë atë që ka ndodhur dhe të marrin vendimet e duhura.
“Unë kam hyrë në parti në prill të 2022-shit. Këto vendimmarrje janë bërë më përpara. I takon kryesisë së partisë dhe kryetarit të mblidhen bashkë, të bëjnë analizat dhe vendimet përkatëse. Mendoj se do të ndodhë shumë shpejt pas zgjedhjeve.” – tha Alimehmeti.