Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli pranon propozimin amerikan për armëpushim, Hamasi refuzon


Zyrtarë të lartë izraelitë kanë bërë të ditur se gjatë fundjavës, i dërguari special i Presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, ka paraqitur një propozim të ri për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit.

Sipas propozimit, Hamasi do të lironte 10 pengje të gjalla dhe do të kthente trupat e 16 të tjerëve. Në këmbim, Izraeli do të pranonte një armëpushim që do të zgjaste nga 45 deri në 60 ditë, si dhe do të lironte të burgosur palestinezë, bazuar në kushte që do të negocoheshin gjatë marrëveshjes.

Gjatë kësaj periudhe pauze do të niste edhe një fazë e dytë negociatash, që synon lirimin e plotë të pengjeve të mbetura, kthimin e trupave të tjerë dhe përfundimin e konfliktit.

Burime nga qeveria izraelite bëjnë me dije se Izraeli e ka pranuar këtë propozim, ndërsa Hamasi ka refuzuar të japë përgjigje, duke e hedhur poshtë në mënyrë të heshtur ofertën. Megjithatë, SHBA mbetet e angazhuar në përpjekjet për paqe, me mbështetjen aktive të ndërmjetësuesve nga Katari dhe Egjipti, të cilët ende besojnë se një marrëveshje është e mundur.

Zyrtarë izraelitë deklarojnë se amerikanët prisnin një përgjigje pozitive nga Hamasi, por tashmë e shohin këtë grup si pengesën kryesore për arritjen e një zgjidhjeje.

Jerusalemi ka konfirmuar se Presidenti Donald Trump po ndjek një kanal diplomatik paralel me Hamasin, përmes Bashara Bahbah, një ish-kreu i amerikanëve për Trump, i cili thuhet se është në kontakt të drejtpërdrejtë me udhëheqësin e Hamasit, Khalil al-Hayya.

Ky kanal i fshehtë ka lehtësuar më herët edhe lirimin e ushtarit izraelito-amerikan Edan Alexander. Zyrtarët izraelitë shpresojnë se, ndërsa presioni ushtarak në Gaza rritet, Hamasi do ta rishqyrtojë ofertën amerikane të njohur si korniza Witkoff dhe do të pranojë marrëveshjen.

Nga ana tjetër, Adam Boehler, i dërguari i SHBA-së për Çështjet e Pengjeve, deklaroi në një konferencë në Nju Jork se negociatat janë në fazë të avancuar. “Po i afrohemi një marrëveshjeje,” tha ai. “Nëse Hamasi është i gatshëm të lirojë pengjet, ne jemi të hapur për propozime legjitime.”

Sipas burimeve izraelite, Khalil al-Hayya është shfaqur si figura kryesore vendimmarrëse brenda Hamasit, pas vrasjes së liderit Yahya Sinwar dhe një atentati ndaj vëllait të tij, Mohammed. Megjithatë, analistët në Izrael mbeten të ndarë mbi aftësinë e Hamasit për të negociuar në mënyrë racionale, përballë një ideologjie që shpesh përjashton kompromisin.

Një zyrtar i lartë izraelit ka sugjeruar se Hamasi mund të ndryshojë qëndrim nëse fillon funksionimi i një fondi ndërkombëtar humanitar, i cili do të shpërndante ndihma direkt te familjet palestineze. Kjo do të minonte kontrollin e Hamasit mbi burimet, si dhe aftësinë e tij për të paguar luftëtarë apo për të rekrutuar të rinj, çka mund ta shtynte grupin të kërkojë një dalje nga Gaza.

Sipas të njëjtit zyrtar, ofensiva tokësore e ushtrisë izraelite në Gaza ndodhet aktualisht në nivelin më të lartë që nga fillimi i luftës. Deri më tani, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë shkatërruar rreth 25% të rrjetit të tuneleve të Hamasit, ndërsa objektivi është eliminimi i të gjithë infrastrukturës strategjike të grupit, për ta dobësuar më tej kapacitetin e tij operacional.

Të hënën, Kryeministri Benjamin Netanyahu thirri një takim të nivelit të lartë sigurie në selinë e IDF-së në Tel Aviv, për të diskutuar çështjen e pengjeve dhe fazën tjetër të Operacionit “Qerrat e Gideonit”. Në takim morën pjesë disa nga figurat më të larta të kabinetit qeveritar dhe drejtuesit e agjencive kryesore të sigurisë, përfshirë shefat e Mossad-it dhe Shin Bet-it.

Ndërkohë, ekipi negociator izraelit ndodhet ende në Doha dhe do të vazhdojë bisedimet atje. Nuk është marrë asnjë vendim për t’i tërhequr ata.

Zyrtarë të lartë izraelitë deklaruan të hënën se ndihma humanitare emergjente për Gazën do të shpërndahet përmes dy organizatave ndërkombëtare të konsideruara të besueshme dhe të palidhura me Hamasin, si dhe përmes grupeve nga Emiratet dhe Jordania, të cilat tashmë operojnë në territor me programe ndihme dhe furra buke.

“Nuk ka garanci 100 për qind që ndihma nuk do të përfundojë në duart e Hamasit,” pranoi një zyrtar izraelit, “por besojmë se shumica dërrmuese nuk do të arrijë tek ai.” Sipas tij, rrjetet ekzistuese të shpërndarjes së organizatave të përzgjedhura janë ndërtuar pikërisht për të shmangur devijimin e ndihmave në duart e grupit terrorist.

Përsa i përket fondit ndërkombëtar humanitar të udhëhequr nga SHBA, zyrtarët izraelitë theksuan se mekanizmi i ri i shpërndarjes synon të parandalojë përfshirjen e Hamasit. Ndryshe nga rastet e mëparshme, ku grupi ka sekuestruar shumë kamionë ndihmash, skema e re parashikon shpërndarje të drejtpërdrejtë tek familjet palestineze. “Ata nuk do të shkojnë shtëpi më shtëpi për të plaçkitur pako individuale. Kjo nuk ka kuptim,” u shpreh një zyrtar.

Megjithatë, zyrtarët nuk e përjashtuan mundësinë që Izraeli të vazhdojë ofrimin e ndihmës emergjente në zonat që nuk mbulohen nga pikat zyrtare të shpërndarjes, të cilat në fillim do të fokusohen në Gazën jugore.

Ndërkohë, Tom Fletcher, zëvendëssekretari i përgjithshëm i OKB-së për çështjet humanitare, konfirmoi se të hënën janë lejuar të hyjnë në Gaza nëntë kamionë me ndihma përmes pikës kufitare Kerem Shalom, duke i dhënë fund një bllokade 11-javore. “Kjo është një pikë në oqean krahasuar me nevojën urgjente,” tha Fletcher, duke shtuar se “duhet të jepet qasje shumë më e madhe që nga nesër në mëngjes.”

VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e Ynetnews

Përshtati për Hashtag.al, Aurora Hoxha