
Procesi i numërimit të votave preferenciale për diasporën ka përfunduar në tre qarqe: Dibër, Kukës dhe Shkodër. Ndërkohë, gara vijon me intensitet në nëntë qarqet e mbetura, ku rivalitetet mes kandidatëve janë të forta dhe diferencat të vogla.
Në Tiranë, vëmendja është përqendruar te gara e ngushtë mes kandidateve të Partisë Socialiste, Olta Xhaçka dhe Blerina Gjylameti, ku Xhaçka aktualisht mban një avantazh të lehtë. Po ashtu, një tjetër përballje e fortë zhvillohet mes Ornaldo Rakipit dhe Xhemal Qefalisë, të cilët ndodhen shumë pranë njëri-tjetrit në numër votash.
Rivalitete të forta janë evidentuar edhe në qarqe të tjera, çka pritet të bëjë që faza e fundit e numërimit të jetë vendimtare për përcaktimin e kandidatëve fitues në listat e hapura.