Vendosni fjalën kyçe....

Senati amerikan i shqetësuar për jashtëtokësorët, do mbajë seancë dëgjimore për UFO-t


Komiteti i Shërbimeve të Armatosura të Senatit po përgatitet të organizojë një seancë të re për të rritur besueshmërinë e divizionit të Pentagonit të ngarkuar me trajtimin e objekteve të paidentifikuara fluturuese, ka thënë një ligjvënës i lartë.

Zyra e Zgjidhjes së Anomalive (AARO) u themelua në korrik 2022, me ndihmën e Senatores Kirsten Gillibrand, një demokrate nga Nju Jorku. Ajo i tha Daily Mail të hënën se po punon për të caktuar një seancë dëgjimore brenda javësh.

“Është një prioritet për mua, sepse mendoj se është shumë e rëndësishme që ne të vazhdojmë t’i bëjmë gjërat në dispozicion të publikut,” tha Gillibrand.

Komiteti i Shërbimeve të Armatosura synon të presë “një raport progresi se sa dukuri ajrore të paidentifikuara [UAP] kemi vlerësuar dhe analizuar, të japë shembuj të asaj që kemi identifikuar dhe të japë shembuj të asaj që nuk kemi identifikuar,” tha ajo për gazetën.

Sipas Gillibrand, seanca dëgjimore duhet të rinovojë besimin e publikut te AARO, pas një sërë pretendimesh denoncuese ushtarake se qeveria fsheh takime të mundshme me jashtëtokësorët.

“Ne gjithashtu duam të përpiqemi të vijojmë të ndërtojmë besueshmëri brenda kësaj zyre [AARO] në mënyrë që publiku të mund të ushqehet me pamjet dhe të ketë një vend dhe një platformë për të dërguar informacione dhe pyetje,” shtoi ajo.

Njoftimi i seancës dëgjimore vjen vetëm dy javë pasi një video e një “UFO-je të madh” me “drita që vezullojnë dhe rrotullohen” u postua në Reddit. Shikimi u regjistrua në Choteau, Montana, më pak se 100 kilometra nga Baza e Forcave Ajrore Malmstrom, një objekt i madh raketash bërthamore.