Ushtria izraelite tha të dielën se ka nisur një fazë të re të operacioneve tokësore në zona të shumta të Rripit të Gazës, duke shënuar fillimin e asaj që e quan “Koçia e Gideonit”, edhe pse negociatat për një armëpushim të mundshëm dhe lirimin e pengjeve vijojnë në Katar.
IDF-ja tha se trupat nën Komandën Jugore, duke përfshirë ushtarë aktivë dhe rezervistë, filluan manovra të gjera tokësore gjatë ditës së shkuar në Gazën veriore dhe jugore.
Sipas ushtrisë, operacionet e fundit pasojnë një javë sulmesh ajrore të intensifikuara që synuan më shumë se 670 baza të Hamasit në gjithë enklavën. Sulmet kishin për qëllim ndërprerjen e përgatitjeve të Hamasit dhe hapjen e rrugës për përparimet tokësore. Objektivat përfshinin pika të ruajtjes së armëve, tunele nëntokësore, lëshues raketash antitank, tha IDF.
Forcat tokësore deri tani kanë eliminuar dhjetëra luftëtarë të Hamasit, kanë çmontuar infrastrukturën si mbi dhe nën tokë, dhe kanë siguruar pozicione strategjike brenda Gazës, sipas ushtrisë, shkruan Ynetnews.
IDF tha se “do vijojë të operojë kundër organizatës terroriste në Rripin e Gazës siç kërkohet, në mënyrë që të mbrojë civilët izraelitë”.
Menjëherë pas fillimit të ofensivës së re, dy predha u hodhën nga Gaza në rajonin kufitar, me IDF që tha se njëra u kap. Nuk raportohet për viktima apo dëme.
Ofensiva e ripërtërirë vjen ndërsa negociatat e nivelit të lartë në Doha kërkojnë të ndërmjetësojnë një marrëveshje armëpushimi dhe të sigurojnë lirimin e pengjeve izraelitë të mbajtur ende nga Hamasi. Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, përfshirë Katarin, Egjiptin dhe Shtetet e Bashkuara, janë të përfshirë në bisedime.
