Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina thotë se Rusia ndërmori sulmin më të madh me dronë që nga fillimi i luftës


Rusia ka ndërmarrë sulmin më të madh me dronë që nga nisja e luftës në shkallë të plotë në vitin 2022, duke lëshuar 273 dronë ndaj Ukrainës, njoftuan autoritetet ukrainase të dielën në mëngjes.

Një grua 28-vjeçare u vra dhe të paktën tre persona të tjerë, përfshirë një fëmijë 4-vjeç, u plagosën në rajonin e Kievit.

Sipas forcave ajrore të Ukrainës, sulmi nisi të shtunën në mbrëmje dhe vazhdoi deri të dielën në mëngjes, duke pasur në shënjestër kryesisht rajonin qendror të Kievit, si dhe zonat lindore të Dnipropetrovskut dhe Donetskut, përcjell Reuters.

88 dronë u shkatërruan nga mbrojtja ajrore ukrainase, ndërsa 128 të tjerë të tipit simulator dolën jashtë funksionit para se të arrinin objektivat.

Ky sulm ndodhi vetëm një ditë pas përfundimit të bisedimeve të para të drejtpërdrejta mes Rusisë dhe Ukrainës që nga viti 2022, të mbajtura të premten në Stamboll.

Bisedimet zgjatën 100 minuta dhe përfunduan pa një armëpushim, por me një marrëveshje për shkëmbimin e 1,000 të burgosurve nga secila palë.

“Ka qenë një natë e vështirë. Rusët kanë përdorur gjithmonë luftën dhe sulmet për të frikësuar palën tjetër gjatë negociatave,” tha Andriy Kovalenko, drejtues i Qendrës për Kundër-Dezinformimin në Ukrainë.

Guvernatori i rajonit të Kievit, Mykola Kalashnik, konfirmoi vdekjen e një gruaje në rrethin e Obukhivit si pasojë e plagëve të marra nga sulmi.

Po aty, tre persona të tjerë u plagosën dhe u shtruan në spital. Disa godina banimi u dëmtuan, ndërsa në qytetin e Kievit, mbeturinat e një droni të rrëzuar dëmtuan çatinë e një ndërtese jo-rezidenciale.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se të hënën do të zhvillojë telefonata me presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për të diskutuar mundësitë e ndaljes së luftës.

Të shtunën, një tjetër sulm rus me dronë në rajonin e Sumyt vrau nëntë civilë pasi goditi një autobus.

Presidenti Zelensky e cilësoi sulmin si të qëllimshëm dhe kërkoi sanksione më të ashpra ndaj Moskës. Rusia pretendoi se objektivi i saj ishte një strukturë ushtarake.