Vendosni fjalën kyçe....

Shqipëria dhe Moldavia nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunim në procesin e integrimit evropian


Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti sot në Tiranë Zëvendëskryeministren për Integrimin Evropian të Moldavisë, Cristina Gherasimov, në kuadër të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe mbështetjes së përbashkët në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Në përfundim të takimit, dy zyrtarët nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi, i cili synon promovimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe shkëmbimin e njohurive për integrimin evropian. Dokumenti ka për qëllim mbështetjen e Moldavisë dhe Shqipërisë në përgatitjet e tyre për anëtarësim në BE.

Memorandumi parasheh bashkëpunim në një sërë fushash kyçe, përfshirë:

  • proceset e anëtarësimit në BE, përmes stabilizimit, asociimit dhe negociatave të anëtarësimit;

  • shkëmbimin e përvojave dhe praktikave midis negociatorëve dhe ekspertëve të të dyja vendeve;

  • organizimin e aktiviteteve të përbashkëta si takime, seminare dhe konferenca;

  • forcimin e kapaciteteve administrative dhe strukturave institucionale për përmbushjen e detyrimeve të BE-së;

  • promovimin e Agjendës së Gjelbër dhe mbështetjen për transformimin digjital, përfshirë sigurinë kibernetike dhe zhvillimin e ekonomisë digjitale.

Gjatë takimit, ministri Hasani vlerësoi momentin historik që Shqipëria po kalon në rrugën e integrimit evropian dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me vende që ndajnë të njëjtin vizion. Palët ranë dakord për intensifikimin e përpjekjeve për thellimin e bashkëpunimit dypalësh mes Shqipërisë dhe Moldavisë në funksion të qëllimeve të përbashkëta evropiane.