
Në kuadër të ditës së dytë të vizitës zyrtare në Shqipëri, presidenti francez Emmanuel Macron u prit sot në një takim dypalësh nga kryeministri Edi Rama në ambientet e Kryeministrisë. Vizita vjen pas përfundimit të Samitit të gjashtë të Komunitetit Politik Evropian të mbajtur në Tiranë.
Pas takimit, të dy liderët mbështetën nënshkrimin e disa marrëveshjeve të rëndësishme në kuadër të forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.
U firmos një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e energjisë, si dhe një memorandum mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për zhvillimin e një projekti gjithëpërfshirës për turizmin e qëndrueshëm në rajonin e Korçës.
Këto marrëveshje pasojnë deklaratën e nënshkruar një ditë më parë për Planin e Veprimit për Inovacionin midis Francës dhe Shqipërisë, duke dëshmuar angazhimin e dyanshëm për thellimin e bashkëpunimit strategjik në fusha kyçe për zhvillimin e qëndrueshëm.