Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata e Lartë e SHBA shqyrton përpjekjen e Trump për të kufizuar shtetësinë me lindje


Gjykata e Lartë e SHBA-së u përball të enjten me çështjen e ndjeshme të përpjekjes së Presidentit Donald Trump për të zbatuar gjerësisht një urdhër ekzekutiv që kufizon shtetësinë automatike përmes lindjes në SHBA, një ndryshim i madh në mënyrën se si është interpretuar prej kohësh Kushtetuta amerikane.

Gjyqtarët dëgjuan argumentet mbi kërkesën urgjente të administratës për të rrëzuar urdhrat ndalues të tre gjykatave federale në Maryland, Washington dhe Massachusetts, të cilat e kishin pezulluar zbatimin e këtij urdhri në mbarë vendin.

Këto gjykata kishin gjetur se urdhri i Trump, pjesë kyçe e qasjes së tij të ashpër ndaj imigracionit, ka të ngjarë të shkelë nenin për shtetësinë të Amendamentit të 14-të të Kushtetutës, përcjell Reuters.

Urdhri i Trump, i nënshkruar më 20 janar – dita e tij e parë e mandatit të dytë – urdhëron agjencitë federale të mos e njohin shtetësinë për fëmijët e lindur në SHBA që nuk kanë të paktën një prind shtetas amerikan ose me qëndrim të përhershëm ligjor (me “green card”).

Kjo çështje është e pazakontë, pasi administrata po përdor rastin për të argumentuar se gjyqtarët federalë nuk kanë autoritet të nxjerrin urdhra kombëtarë (injunctions) dhe kërkon që Gjykata e Lartë ta mbështesë këtë qëndrim, duke lejuar zbatimin e urdhrit pa u shqyrtuar meritueshmëria ligjore e tij.

Avokati i Përgjithshëm i SHBA-së, D. John Sauer, i tha gjykatësve se urdhri i Trump synon të “mbrojë kuptimin dhe vlerën e shtetësisë amerikane”. Ai e quajti përdorimin e shtuar të urdhrave universalë nga gjyqtarët si një “patologji”.

Pas më shumë se dy orësh debat, gjyqtarët konservatorë u shfaqën të gatshëm të kufizojnë fuqinë e gjykatave më të ulëta për të nxjerrë urdhra ndalues universalë, por ishin hezitues të merrnin vendim përfundimtar pa e shqyrtuar më thellë ligjshmërinë e urdhrit të Trump. Nuk ishte e qartë nëse do të kërkohet më shumë dokumentacion, gjë që do të vononte më tej vendimin përfundimtar të çështjes.

Gjykatësja liberale Sonia Sotomayor tha se urdhri i Trump shkel vendime të mëparshme të Gjykatës së Lartë mbi shtetësinë. Ajo paralajmëroi se nëse hyn në fuqi, mijëra fëmijë do të lindin në SHBA pa shtetësi, duke rrezikuar të mbeten pa shtetësi edhe në vendet e origjinës së prindërve të tyre dhe të mbeten të papërfshirë në shërbimet publike amerikane.

Sipas paditësve, më shumë se 150,000 foshnja do të privoheshin çdo vit nga shtetësia nëse urdhri i Trump do të lejohej.

Padia është ngritur nga prokurorët e përgjithshëm demokratë të 22 shteteve, gra shtatzëna imigrante dhe organizata për të drejtat e imigrantëve. Ata argumentojnë se urdhri bie ndesh me Amendamentin e 14-të, i cili garanton shtetësinë për të gjithë personat e lindur ose të natyralizuar në SHBA dhe që i nënshtrohen juridiksionit të saj.

Debati ka edhe një dimension historik: Amendamenti i 14-të u miratua në vitin 1868 pas Luftës Civile, për të rrëzuar vendimin famëkeq të çështjes Dred Scott v. Sandford të vitit 1857, që u mohoi njerëzve me ngjyrë shtetësinë.

Sauer argumentoi se kuptimi fillestar i Amendamentit të 14-të ishte të garantonte shtetësinë për fëmijët e skllevërve të liruar, jo për imigrantët e paligjshëm apo vizitorët e përkohshëm. Këtë e kundërshtoi gjyqtarja Sotomayor, duke thënë se do të ishte e paligjshme të krijohej një gjendje ku fëmijët lindin pa shtetësi.

Çështja e urdhrave universalë ishte po ashtu në qendër të debatit. Gjyqtarja Elena Kagan tha se pa një urdhër të tillë, do të duheshin vite që Gjykata e Lartë të vendoste për ligjshmërinë e urdhrit, duke lënë ndërkohë qindra mijëra njerëz në pasiguri. Kjo u mbështet nga kolegia e saj Amy Coney Barrett, e cila i kërkoi Sauer një rrugë të shpejtë për të arritur në një vendim përfundimtar.

Gjyqtari konservator Neil Gorsuch e pyeti gjithashtu: “Si sugjeroni që të arrijmë shpejt në vendimin për këtë çështje?”

Sauer deklaroi se që nga kthimi i Trump në presidencë, gjykatësit federalë kanë nxjerrë 40 urdhra universalë që bllokojnë politikat e administratës, duke shtuar se ky është një problem dypartiak që ka zgjatur për pesë administrata të ndryshme.

Gjyqtari konservator Clarence Thomas ra dakord se urdhrat universalë janë shtuar ndjeshëm në 30 vitet e fundit dhe vuri në pikëpyetje fuqinë e gjyqtarëve për t’i lëshuar.

Përfundimi i mundshëm i këtij rasti, përveç ndikimit të drejtpërdrejtë në fatin e mijëra fëmijëve të lindur në SHBA, pritet të ndikojë edhe në mënyrën se si gjykatat federale ushtrojnë kompetencën e tyre në të ardhmen për të bllokuar zbatimin e politikave të qeverisë në nivel kombëtar.