Vendosni fjalën kyçe....

“Gjysmë milionë shqiptarë nuk mund të shtypen kurrë” – Berisha thirrje për protestë më 16 maj


Ish-kryeministri dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas publikimit të vëzhgimeve paraprake nga misioni i OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 11 majit, duke deklaruar se raporti përmban konstatime “madhore” që, sipas tij, delegjitimojnë procesin zgjedhor.

“Dua të përshëndes vëzhguesit e OSBE-ODIHR për konstatimet e tyre madhore, me të cilat de fakto këto zgjedhje rrëzohen,” u shpreh Berisha në një deklaratë për mediat. Ai paralajmëroi se në datën 16 maj do të nisë një protestë për të denoncuar atë që e cilësoi si “batërdinë elektorale të regjimit” dhe për të sensibilizuar liderët evropianë që do të vizitojnë Shqipërinë.

Sipas Berishës, vendi ndodhet në një “narkoshtet” ku nuk respektohet asnjë rregull demokratik dhe ku krimi, sipas tij, ka qenë aktori kryesor në manipulimin e votës. Ai theksoi se kjo nuk është vetëm qëndrim i opozitës, por është mbështetur nga katër rezoluta ndërkombëtare të rëndësishme.

“Këto janë kohë përcaktuese për të ardhmen e demokracisë në Shqipëri dhe për mbrojtjen e votës së qytetarëve shqiptarë,” deklaroi Berisha. Ai theksoi se kauza e opozitës është legjitime dhe nuk do të pranohet asnjë mandat i fituar mbi bazën e krimit elektoral.

Berisha i dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë edhe kryeministrit Edi Rama: “Gjysmë milioni shqiptarë të lirë nuk mund të shtypen kurrë. Janë më të fortë dhe më guximtarë se ata që janë blerë apo shitur. Ne do të qëndrojmë përballë me vendosmëri, për të mbrojtur aspiratat e tyre për liri.”

Në përfundim, ai ritheksoi që opozita ka bërë gjithçka për të garantuar një proces zgjedhor të ndershëm dhe nuk do të pranojë asnjë rezultat që, sipas tij, është ndërtuar mbi bazën e krimit dhe manipulimit.