
Tensione dhe përplasje verbale janë regjistruar në KZAZ nr. 40 në shkollën “Sami Frashëri” në Tiranë, ku procesi i numërimit të votave është shoqëruar me debate të forta dhe ndërprerje të përsëritura.
Shkak për situatën e krijuar janë bërë disa fletë votimi të Partisë Mundësia që, sipas pretendimeve të kësaj force politike, po shpallen të pavlefshme për shkak të dallimit në ngjyrë.
Lideri i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar me tone të ashpra, duke deklaruar se po tentohet manipulimi i votave për të ndikuar në ndarjen e mandatit të fundit në Tiranë.
Ai e cilësoi si të pajustifikueshme justifikimin për pavlefshmërinë e fletëve vetëm për shkak të një “nuance të zbehtë”, edhe pse ato mbajnë të dy vulat e rregullta të komisionit.
“Këto janë 3 fletë votimi, e para dhe e treta janë të Partisë Mundësia. Thonë që ngjyrat e tyre dallojnë dhe për këtë arsye duan t’i shpallin të pavlefshme. Nëse kjo do të ndiqet si praktikë, atëherë hapet rruga që të shpallen të pavlefshme shumë vota të tjera,” deklaroi Shehaj.
Ai e akuzoi hapur grupin e numëruesve për ndërhyrje të qëllimshme në proces, duke theksuar se “po fusin duart në kuti për të na vjedhur mandatin”.
Sipas tij, diferenca mes Partisë Mundësia, PS-së dhe PD-së është shumë e vogël, dhe për këtë arsye çdo votë është vendimtare për rezultatin përfundimtar.
Ky është mandati i dytë që Partia Mundësia pretendon të sigurojë në kryeqytet, ndërsa zhvillimet e fundit po ndiqen nga afër edhe nga mediat dhe vëzhguesit ndërkombëtarë.