Vendosni fjalën kyçe....

Ndërpritet numërimi në KZAZ nr. 31 në Tiranë, largohen numëruesit e PD


Procesi i numërimit të votave në KZAZ nr. 31, i vendosur në ambientet e shkollës “1 Maji” në kryeqytet, është ndërprerë në katër tavolina për shkak të largimit të numëruesve të Partisë Demokratike (PD).

Zëvendëskryetari i KZAZ-së, përfaqësues nga Partia Socialiste (PS), bëri të ditur për News24 se numëruesit e PD janë larguar mëngjesin e sotëm rreth orës 07:00, duke deklaruar se janë të lodhur dhe nuk mund të vijojnë më punën. Ai theksoi se ende nuk janë zëvendësuar nga persona të tjerë të autorizuar nga PD.

Zv kryetari i KZAZ nr 31, nga PS: Janë larguar numëruesit e PD-së. Ata kanë thënë se janë të lodhur dhe nuk janë zëvendësuar nga të tjerët. Ata punuan deri në orën 07:00 dhe u larguan, thanë se nuk punojnë dot më.

Njoftuam për të sjellë numëruesit e tjerë këtu në KZAZ 31 dhe akoma nuk kanë ardhur. Sipas Kodit Zgjedhor, në këto kushte, do punohet me dy numërues, një subjekt i PS dhe një i PSD.

Është e lodhshme, por kemi vendim të KQZ, që sot në darkë duhet të mbyllet vota e subjektit politik, për të vijuar me votën e kandidatit.

Do presim një njoftim nga KQZ, inspektori që mbulon zonën tonë dhe vijojmë punën. Kemi numëruar 17 kuti. ASHM në 17 kuti ka marrë 1924 vota, Lëvizja Bashkë 167 vota, Lëvizja Atdheu 15 vota, Partia Koalicioni Euro-Atlantik 84 vota, PS 3754 vota, Nisma Shqipëria bëhet 260 vota, Mundësia 328 vota dhe PSD 304 vota.